Në Ditën Botërore të Marinarit, qyteti i Sarandës u bashkua me qytetet e tjera bregdetare të vendit për të nderuar figurën e detarit dhe për të kujtuar kontributin e marinarëve ndër vite.
Ceremonia simbolike u zhvillua pranë spirancës 200-vjeçare të nxjerrë nga Gjiri i Sarandës, një nga simbolet e trashëgimisë detare të qytetit, në Sheshin “Marinari”. Një buqetë me lule u vendos në këtë vend të veçantë si homazh për të gjithë detarët që janë pjesë e historisë dhe memorjes së Sarandës – nga efektivët e dikurshëm të Bazës Detare, te peshkatarët, lundërtarët dhe drejtuesit e mjeteve detare turistike që kontribuojnë çdo ditë në jetën dhe zhvillimin e qytetit.
Behar Xhani, ish-oficer i Bazës Detare dhe një prej organizatorëve të kësaj nisme, tha se kjo ceremoni u organizua në të njëjtën ditë dhe orë me qytete të tjera detare në vend, duke e bërë Sarandën pjesë të një përkujtimi të gjerë kombëtar.
“Gjithçka u bë për të mbajtur gjallë frymën dhe traditën e detarëve, për të vlerësuar rolin e tyre historik dhe kontributin e vazhdueshëm në jetën detare të qytetit”, – u shpreh Xhani.
Kjo ditë shërbeu edhe si moment reflektimi për marinarët veteranë, të cilët sollën në kujtesë përkushtimin e tyre gjatë kohës kur Baza e Marinës së Sarandës ishte ndër më të rëndësishmet në jug të Shqipërisë.
Ndërkohë, javë më parë, figura e marinarit dhe trashëgimia detare u promovuan edhe përmes një muzeu të hapur në shetitoren e Sarandës, që tërhoqi vëmendjen e publikut dhe u mirëprit nga qytetarë e turistë si një akt nderimi për "Njerëzit e Detit".
BluTV përshëndet çdo nismë që ruan dhe promovon vlerat e trashëgimisë detare dhe të atyre që ia kanë kushtuar jetën detit.
Komente