Policia e Sarandës ka goditur një tjetër rast të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, duke arrestuar një 29-vjeçar të dyshuar për disa vjedhje në qytet. Operacioni policor i koduar “The last bag”, i zhvilluar nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, çoi në pranga shtetasin K. S., banues në Berat.
Ai u kap në flagrancë më 19 qershor 2025, në lagjen nr. 1 të Sarandës, teksa kishte vjedhur një shumë parash nga një automjet. Nga hetimet rezulton se një ditë më parë, më 18 qershor, i njëjti person kishte vjedhur 114 mijë lekë nga një tjetër automjet, gjithashtu në të njëjtën zonë.
29-vjeçari kishte si objektiv kryesor çantat e lëna në automjetet e turistëve, prej të cilave merrte para dhe sende me vlerë. Policia vijon hetimet për të dokumentuar tërësisht veprimtarinë e tij kriminale, pasi dyshohet se ai është autor edhe i disa rasteve të tjera vjedhjesh në qytetin e Sarandës.
Materialet për rastin i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë për veprime të mëtejshme. Policia u bën apel qytetarëve, veçanërisht vizitorëve, që të mos lënë sende me vlerë të ekspozuara në automjete.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente