Një ngjarje e pazakontë dhe dramatike ka ndodhur këtë të shtunë në rrugën “Butrinti” në Sarandë, ku një person i dyshuar për armëmbajtje pa leje ka tentuar t’i shpëtojë ndjekjes së policisë me një skenë që ngjason me një film aksion: është hedhur në det me një çantë në qafë.
Sipas burimeve nga vendngjarja, forcat e Policisë së Sarandës kanë ndaluar një automjet luksoz tip Porsche Panamera, brenda të cilit ndodheshin tre persona. Teksa po kryhej kontrolli, njëri prej të rinjve është larguar me vrap dhe është hedhur në det, me një çantë në qafë, duke befasuar edhe kalimtarët e shumtë që ndodheshin pranë shëtitores.
Ndërkohë, dy personat e tjerë janë ndaluar dhe shoqëruar nga forcat “Shqiponja”, ndërsa dhjetëra efektivë ndodhen aktualisht në zonë për të mbikëqyrur situatën.
Dyshohet se personi që po noton në përpjekje për t’u larguar ka hedhur një send të paligjshëm në ujë, për këtë arsye është kërkuar edhe ndërhyrja e Policisë Kufitare me mjet lundrues për ta kapur dhe për të kryer kërkime në zonën detare.
Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e pushuesve dhe qytetarëve, për shkak të vendndodhjes dhe mënyrës spektakolare të arratisjes. Forcat e rendit janë ende në operacion.
Komente