Në kulmin e një vale të nxehti me temperatura deri në 38°C, disa lagje kryesore të Sarandës po përballen me mungesë të plotë të furnizimit me ujë të pijshëm, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për banorët dhe duke ndikuar negativisht në imazhin turistik të qytetit.
Lagjja nr. 3 (rruga “Gjergj Arianiti”), lagjja nr. 4 në Kodër, rruga e Bashkisë dhe rruga e 5-të janë ndër zonat më të prekura, ku banorët thonë se nuk kanë ujë prej gjashtë ditësh. Situata është bërë edhe më problematike për shkak të fluksit të madh të turistëve në qytet, ku kërkesa për shërbime bazë është më e larta e vitit.
Qytetarët akuzojnë drejtorin e ujësjellësit, Amardo Goxharaj, dhe përgjegjësin lokal për Sarandën, Alban Alikaj, për favorizim të hoteleve private, të cilave u garantohet furnizim i përhershëm me ujë në këmbim të pagesave të paligjshme, ndërsa banorët mbeten pa ujë edhe për nevojat më elementare.
“Jemi detyruar të mbushim ujë me bote, nuk kemi si të lahemi apo si të gatuajmë. Ndërkohë, hotelet e mëdha kanë ujë pa ndërprerje,” – tha një banore e lagjes nr. 4.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për rikthimin e furnizimit të rregullt dhe të barabartë me ujë, duke paralajmëruar se çdo vonesë e mëtejshme është e pajustifikueshme. Ata shprehen se mungesa e ujit po ndikon jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në turizëm, sektorin kryesor të ekonomisë së zonës.
Turistë të huaj kanë raportuar mungesë uji edhe në hotele dhe apartamente, duke u përballur me kushte që nuk përputhen me standardet e pritshme të shërbimit.
Pavarësisht situatës alarmante, as Bashkia e Sarandës dhe as ndërmarrja e ujësjellësit nuk kanë marrë masa konkrete për zgjidhjen e problemit. Ky nuk është rasti i parë që Saranda përballet me kriza të furnizimit me ujë gjatë sezonit turistik, por niveli i pretenduar i abuzimit dhe shpërndarjes selektive këtë vit ka shkaktuar indinjatë masive.
Komente