SARANDA NË KULMIN E SEZONIT: TURIZËM LUKSI DHE ZËRA KRITIKË PËR ADMINISTRIMIN

SARANDA NË KULMIN E SEZONIT: TURIZËM LUKSI DHE ZËRA KRITIKË PËR ADMINISTRIMIN

Saranda dhe Ksamil kanë hyrë bindshëm në hartën e destinacioneve elitare për turizmin shqiptar këtë verë. Fluksi i turistëve vendas dhe të huaj është rritur ndjeshëm, duke e bërë të pamundur të mos dallosh energjinë që përshkon qytetin që në orët e paradites. Plazhet, gjiret e Kakomesë, Krorëzës e Heremecit, mbushen nga turistët që rezervojnë skafe e anije turistike për të shijuar natyrën.

Mbrëmjet në Sarandë janë po aq dinamike: bulevardi i qytetit gjallërohet me shetitje, blerje në tezga artizanale, lokale buzë detit dhe shërbime të shumta që kanë zbritur në shëtitore për të qenë sa më afër banorëve dhe pushuesve. Jeta e natës është gjithashtu e pranishme, duke ofruar opsione të shumta për argëtim.

Por jo të gjithë ndajnë të njëjtin entuziazëm.

Zëra kritikë për administrimin urban dhe shërbimet bazë

Valbona Hoxha, një banuese prej vitesh në Sarandë, ofron një tjetër perspektivë. Ajo tregon se stresi i pushimeve nis që me hyrjen në qytet, për shkak të mungesës së theksuar të parkimeve dhe ngushtimit të shetitores nga tezgat e shitësve ambulantë.

Sipas saj, sjellja agresive e disa operatorëve që ftojnë kalimtarët me insistim për të hipur në anijet e tyre është bezdisëse dhe nuk përkon me pritshmëritë që duhet të ofrojë një qytet turistik si Saranda.

Ajo thekson gjithashtu se plazhet publike janë pasuri e përbashkët që duhen ruajtur, por sfondi i tyre është prishur nga rrëmujat urbane dhe kaosi tregtar.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Valbona lidhet me cilësinë e shërbimeve bazë – veçanërisht problemet e herëpashershme me energjinë elektrike në banesat e zonës. Për të mos folur për çmimet në markete, të cilat i konsideron të larta dhe të pamotivuara ekonomikisht. Ajo rrëfen se blerjet e përditshme tashmë i bën në Gjirokastër.

Kritikat, jo për të ulur vlerën e qytetit, por për të kërkuar më shumë

Në një sezon kaq të vrullshëm, zërat kritikë janë të rëndësishëm. Ata nuk vijnë nga qëllime vetjake, por synojnë të përçojnë një mesazh të qartë: Saranda ka potencial të jashtëzakonshëm, por kërkon një administrim më të kujdesshëm dhe respekt për qytetin dhe vizitorët.

Turizmi i qëndrueshëm ndërtohet mbi përvojën cilësore të qytetarit dhe pushuesit – dhe për këtë, çdo zë që kërkon më mirë, është zë që duhet dëgjuar.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-