Sarandë – Pas konstatimit të një vatre të murtajës tek të imtat vetëm një ditë më parë, edhe Saranda është futur në një regjim të rreptë monitorimi. Deri më tani, territori i Bashkisë rezulton i pastër, por situata mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit dhe Policia Bashkiake.
Mustafa Lama, drejtor në këtë drejtori, tha se ekipet janë në terren me kompetenca të plota për të ndërhyrë kur është e nevojshme. Ai theksoi se, pavarësisht kontrolleve të shumta, barinjtë shpesh tentojnë të fshehin rastet e sëmundjes, gjë që rrezikon përhapjen. “Raportimi i hershëm është kyç – nëse preket një bagëti, e gjithë tufa duhet të asgjësohet,” paralajmëroi Lama.
Në këtë situatë, një element lehtësues është vala e temperaturave të larta, që ndihmon natyrshëm në frenimin e virusit. Në të njëjtën kohë, janë duke u bërë përgatitjet për vaksinimin e tufave.
Në Bashkinë e Sarandës, sipas të dhënave zyrtare, janë mbi 5 mijë krerë të imta të mbarështuar në bazë të kontratave për kullota. Strukturat përgjegjëse po ndërmarrin masa të shtuara për të shmangur çdo rast të prekjes nga sëmundja, që do të kishte pasoja të rënda për fermat dhe blegtorët vendas.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente