Sarandë, korrik 2025 – Me nisjen e muajit korrik, fluksi i pushuesve në Sarandë është shtuar ndjeshëm, duke e kthyer qytetin në një nga destinacionet më të preferuara të kësaj vere.
Turistë nga e gjithë Shqipëria, nga diaspora dhe vende të huaja si Maqedonia e Veriut, Finlanda dhe Mali i Zi kanë zgjedhur Sarandën për të kaluar pushimet, duke shijuar bregdetin, perëndimet spektakolare dhe atmosferën mikpritëse të qytetit.
Në bregdet, buzë perëndimit, takuam një çift nga Maqedonia e Veriut, të cilët shprehen të mahnitur nga bukuria natyrore dhe qetësia e zonës. “Ka ende vende për të eksploruar, plazhe të pastër dhe shërbime të arsyeshme,” thotë Renati, duke theksuar se çmimet në ushqim janë pak më të larta, por “ia vlen për atë që të ofron Saranda.”
Peizazhi piktoresk dhe ushqimi i mirë janë vlerësimet kryesore të një çifti finlandez që ndodhen për herë të parë në Shqipëri.
Një emigrant i ardhur nga Athina veçon përmirësimet në infrastrukturë, veçanërisht në furnizimin me ujë të pijshëm. Ndërkohë bashkëshortja e tij shpreh kënaqësinë për plazhin publik, duke kërkuar më shumë hapësira të përshtatura për çadrat personale.
Për familjet nga Tirana dhe Fieri, Saranda ofron gjithçka që kërkon një pushim i qetë: akomodim cilësor dhe çmime të përballueshme. Megjithatë, një ndër shqetësimet e tyre mbetet prania e tepërt e betonit, deri afër vijës bregdetare.
Një pushuese nga Mali i Zi shprehet e mrekulluar nga gjithçka: nga deti, tek ambienti dhe atmosfera familjare që ofron qyteti.
Mbrëmjeve, shetitorja dhe lokalet përgjatë saj janë të mbushura me njerëz. Ndërsa gjatë ditës, plazhet janë të frekuentuara deri në orët e vona, dhe guida me skafe dhe anije turistike janë në kulmin e kërkesës.
Të dhënat nga terreni tregojnë për një fillim premtues të sezonit turistik, që sipas operatorëve turistikë dhe banorëve të zonës, pritet të kulmojë në javët e ardhshme.
Komente