E diela e fundit e prillit solli një fluks të paprecedentë turistësh të huaj në Sarandë, duke i dhënë qytetit bregdetar një atmosferë tipike verore, shumë përpara sezonit turistik zyrtar.
Shumë prej vizitorëve u tërhoqën nga natyra e mrekullueshme e bregdetit shkëmbor në drejtim të Krorëzës dhe Kakomesë, si dhe nga Plazhi i Pasqyrave, i njohur për ujërat e tij të kristalta blu. Pamje piktoreske nga skafet që lundronin drejt këtyre plazheve e zbukuronin më tej panoramën e ditës.
Një tjetër destinacion i parapëlqyer për turistët ishte qyteti antik i Butrintit. Duke përdorur një varkë turistike që ofron shërbim në Kanali e Vivarit, shumë vizitorë shkuan për të vizituar Kalanë e Ali Pashës, një tjetër monument i rëndësishëm i trashëgimisë historike shqiptare.
Në Galerinë e Artit të Sarandës u ndalën grupe turistësh nga Norvegjia, ku patëm mundësi të regjistronim edhe disa intervista ku ata ndanë përshtypjet e tyre pozitive për qytetin dhe mikpritjen shqiptare.
Fundjava diellore i dha Sarandës një gjallëri të veçantë. Turistët, duke shëtitur përgjatë lungomares së qytetit, nuk ngurruan të ndanin me kamerën e Blu TV vlerësimet e tyre për klimën mesdhetare, bukuritë natyrore, kuzhinën tradicionale dhe mikpritjen e ngrohtë të vendasve.
Në intervistat e realizuara, një turiste italiane u shpreh:
“Është shumë bukur këtu. Kam mbetur e mrekulluar nga Saranda. Ka natyrë të bukur dhe gjetëm restorante shumë të mira në Sarandë dhe Ksamil.”
Ndërsa një vizitore greke tregoi emocionet e saj:
“Është shumë bukur këtu. Shetitëm në buzë të detit, pamë Limanin e bukur dhe tani presim të ndizen dritat për ta parë Sarandën edhe në mbrëmje.”
Turistët që vizituan Sarandën këtë fundjavë vinin nga Italia, Franca, Greqia, Polonia, Izraeli, Irlanda, Norvegjia, Nigeria dhe vende të tjera. Ky “pushtim” i hershëm turistik është një sinjal i qartë se Saranda dhe Ksamilit i pret një verë e ngarkuar me vizitorë, duke konfirmuar edhe promovimin e fundit që kanë marrë në mediat ndërkombëtare, ku Saranda cilësohet si “perla e Mesdheut” dhe Ksamil si “Maldivet e Evropës”.
Një fillim premtues për një sezon turistik që pritet të jetë ndër më të suksesshmit vitet e fundit!
Efrosina Papa, gazetare me një karrierë 26-vjeçare në median e Vlorës, është një zë i dalluar i informimit lokal, që ka ndërtuar me përkushtim urën mes qytetarëve dhe ngjarjeve të ditës. Ajo është e njohur për pasqyrimin e drejtë dhe të ndershëm të realitetit, me vëmendje të veçantë ndaj historive njerëzore dhe figurave punëtore të komunitetit.
Komente