Vetëm 17 milje detare i ndajnë Sarandën nga ishulli grek i Korfuzit – një afërsi që prej vitesh shihet si një mundësi për shkëmbim modelesh, bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët të turizmit. Por a është kjo fqinjësi vetëm një marrëdhënie miqësore, apo përfshin edhe një konkurrencë të heshtur mes dy destinacioneve?
Kreu i industrisë së turizmit në Sarandë, Arben Çipa, thotë për BluTV se bashkëpunimi me Korfuzin ka funksionuar dhe se janë zhvilluar iniciativa të përbashkëta që kanë sjellë ndikim pozitiv në sytë e partnerëve të tretë.
“Janë hedhur ide që kanë sjellë rezultate konkrete në promovimin rajonal dhe ndërkombëtar të dy destinacioneve,” shprehet Çipa.
Megjithatë, për shkak të afërsisë gjeografike dhe tregut të përbashkët që u shërbejnë, rivaliteti nuk mund të shmanget – sidomos kur bëhet fjalë për industrinë e kroçerave.
“Në këtë pikë, Korfuzit i vjen më lehtë të jetë konkurrues për shkak të përvojës, infrastrukturës dhe itinerareve të konsoliduara,” thekson Çipa.
Përtej sfidave, distanca e shkurtër midis Sarandës dhe Korfuzit duhet parë si një nxitje për të forcuar bashkëpunimin mes strukturave turistike dhe qeverive vendore, duke marrë shembull nga modeli i suksesshëm i menaxhimit turistik në ishullin grek.
Bashkëpunimi, shkëmbimi i përvojave dhe rritja e cilësisë së shërbimeve janë rruga e vetme për t’u përballur me sfidat e një tregu gjithnjë e më konkurrues dhe për ta kthyer afërsinë në një avantazh strategjik për Sarandën.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente