Qytetarët shqiptarë janë të rrezikuar nga konsumimi i salmonit të kontaminuar me bakterin e rrezikshëm “Listeria monocytogenes”. Sipas informacioneve, ky produkt është importuar nga Serbia dhe është shitur në supermarketet e vendit nga muaji qershor deri në korrik 2025.
Bakteri “Listeria monocytogenes” shkakton infeksione serioze me simptoma si temperaturë të lartë, dhimbje koke, marrje mendsh, humbje ekuilibri dhe në raste më të rënda mund të shkaktojë lindje të parakohshme tek gratë shtatzëna ose infeksion të rëndë tek foshnjat.
Burime të besueshme bëjnë me dije se është importuar një sasi e konsiderueshme e salmonit të tymosur rreth 1040 copë dhe është tregtuar në pako prej 50, 100, 200 dhe 300 gramë në supermarketet e vendit. Sasia më e madhe e këtij produkti ka pasur datat e skadencës nga 6 korriku deri në 3 gusht 2025 dhe është konsumuar nga qytetarët shqiptarë, përveç atyre që kanë mundur të kthejnë produktin në dyqane.
Ndërkohë, pas njoftimit për praninë e bakterit të rrezikshëm është bërë tërheqja e produktit nga tregu por gjithashtu është raportuar se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka heshtur. Pavarësisht detyrimit ligjor për të informuar publikun, AKU nuk ka lëshuar asnjë njoftim në lidhje me këtë rrezik për konsumatorët.
Kjo heshtje e AKU-së ka shtuar shqetësimet për sigurinë e produkteve ushqimore të importuara në vend dhe për mbrojtjen e konsumatorëve shqiptarë nga rreziqe të mundshme për shëndetin.
Komente