Spitali Psikiatrik i Vlorës ka regjistruar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitave gjatë ditëve të nxehta të qershorit, duke shënuar deri në 30 vizita në ditë. Një pjesë e këtyre rasteve ka kërkuar edhe trajtim spitalor.
Mjeku psikiatër Stiliano Lepuri shprehet se situata ka ndikuar ndjeshëm tek pacientët që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, veçanërisht ata që përballen me ankth, çrregullime kronike, apo përdorues të alkoolit dhe substancave narkotike. Rritje kanë pësuar edhe rastet e të rinjve që paraqiten për ndihmë ose përfundojnë të shtruar për trajtim afatgjatë.
Edhe në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor në Vlorë janë duke u kryer mbi 35 vizita në ditë. Shumica e pacientëve marrin trajtimin mjekësor dhe largohen, ndërsa një pjesë e tyre vijon trajtimin në kushte spitalore.
Janë raportuar gjithashtu disa raste të turistëve të huaj që kanë kërkuar ndihmë për shkak të përdorimit të substancave gjatë qëndrimit në qytet. Dy prej tyre kanë qenë të shtruar për më shumë se një muaj në spitalin psikiatrik.
Dr. Lepuri apelon për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe të nxehtë, duke këshilluar pacientët të shmangin ekspozimin në diell, të ndjekin rregullisht terapinë mjekësore dhe të mos konsumojnë alkool, pasi këto faktorë mund të përkeqësojnë gjendjen e tyre.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente