Shqipëria vijon të regjistrojë një nga normat më të shpejta të rritjes ekonomike në Europë, por përballë këtij zhvillimi po shfaqen sfida serioze që lidhen me demografinë, financat publike dhe stabilitetin financiar. Vlerësimet e fundit tregojnë se ekonomia u mbështet në vitin 2025 nga konsumi, rritja e pagave dhe turizmi, duke arritur një rritje të PBB-së prej 3.5%.
Për vitin 2026, parashikohet një zgjerim ekonomik prej 3.6%, ndërsa inflacioni ka mbetur nën objektivin 3% dhe pritet të stabilizohet gradualisht. Perspektiva afatmesme mbetet pozitive, me norma rritjeje mbi 3%, por rreziqet strukturore po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
Tkurrja e popullsisë në moshë pune përbën një nga sfidat më të mëdha. Që nga viti 2023, kjo kategori është reduktuar me 16 pikë përqindje. Prirjet për emigrim mbeten të larta, me një pjesë të konsiderueshme të popullsisë që planifikon largimin nga vendi në afatin e shkurtër dhe të mesëm.
Në planin fiskal, Shqipëria ka ruajtur disiplinë, duke arritur suficit primar në vitin 2024 dhe duke synuar stabilitet në vitet në vijim. Borxhi publik pritet të zbresë nën 50% të PBB-së deri në vitin 2030. Megjithatë, shtyrja e reformave tatimore dhe futja e skemës së “paqes fiskale” për vitin 2026 paraqesin rreziqe për besueshmërinë dhe funksionimin e sistemit tatimor.
Në sektorin bankar, megjithëse kapitalizimi dhe likuiditeti janë mbi kërkesat minimale, zgjerimi i shpejtë i kreditimit, veçanërisht në pasuri të paluajtshme, paraqet cenueshmëri. Përqendrimi i riskut, kreditimi në valutë pa mbrojtje dhe lidhja e fortë mes shtetit dhe bankave kërkojnë vëmendje të shtuar rregullatore.
Shqipëria pritet t’i nënshtrohet një vlerësimi të plotë të sektorit financiar pas 12 vitesh, i cili do të analizojë qëndrueshmërinë ndaj goditjeve dhe efektivitetin e mbikëqyrjes.
Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian ofron potencial të madh për rritje të produktivitetit dhe të ardhurave, por përfitimet do të varen nga zbatimi i reformave të thella në qeverisje, luftën kundër korrupsionit, arsimin, tregun e punës dhe klimën e investimeve. Pa këto reforma, rreziku i emigrimit të vazhdueshëm dhe ngadalësimit të rritjes mbetet i lartë.
Komente