Temperaturat e larta dhe stina e verës përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin e pacientëve me sëmundje kronike, veçanërisht për ata që vuajnë nga problemet kardiovaskulare.
Mjekja kardiologe Farida Golemi bën me dije se nxehtësia e verës precipiton rrezikun edhe te pacientët me hipertension, duke rritur ndjeshëm numrin e vizitave ditore në konsultor dhe qendra shëndetësore.
“Aktualisht kemi rreth 30 vizita në ditë, por nëse përfshijmë edhe vizitat ambulatore dhe ato në qendrat shëndetësore, shifra është më e lartë”, – shprehet Golemi.
Ajo u bën thirrje të gjithë personave në rrezik të evitojnë daljet në orët e pikut si në plazh, ashtu edhe në ambiente të tjera të ekspozuara ndaj diellit.
Shqetësim shtesë: Mosha e re në rrezik
Një tjetër dukuri shqetësuese që vë në dukje mjekja kardiologe është ulja e moshës së personave të prekur nga sëmundjet e zemrës.
“Në të kaluarën, sëmundjet kardiake prekën kryesisht moshën mbi 40 vjeç, por tani ka gjithnjë e më shumë raste tek të rinjtë që nisin që nga 35 vjeç”, paralajmëron Golemi.
Sëmundjet e zemrës vazhdojnë të mbeten një nga problemet më serioze të shëndetit publik gjatë verës, të ndikuara drejtpërdrejt nga temperaturat ekstreme, stili i jetesës dhe mungesa e kujdesit në kohë
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente