Temperaturat e larta të verës nuk përbëjnë vetëm rrezik për shëndetin, por edhe për sigurinë rrugore. Rastet e djegies së automjeteve janë shtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, sidomos në stinën e verës, duke vendosur në rrezik jo vetëm mjetin, por shpesh edhe jetën e drejtuesve dhe pasagjerëve.
Në një prononcim për BluTV, specialisti i automjeteve në Vlorë, Xhoni Mitro, thotë se një nga arsyet kryesore lidhet me mungesën e kontrollit teknik nga ana e drejtuesve, veçanërisht përpara udhëtimeve të gjata gjatë ditëve me vapë ekstreme.
“Shpesh, neglizhenca ndaj kontrolleve bazë si sasia e ujit në radiator apo gjendja e sistemit elektrik mund të sjellë pasoja serioze. Në këto temperatura, është thelbësore që automjeti të kontrollohet rregullisht tek mekaniku për të shmangur incidente të tilla,” – shprehet Mitro.
Shkaqet kryesore që çojnë në djegien e makinave në verë:
Temperaturat e larta ekstreme
Mungesa e kontrollit të lëngjeve ftohëse dhe vajrave
Defekte elektrike ose rrjedhje karburanti
Përdorimi i pajisjeve të papërshtatshme ose jo të certifikuara
Lënia e pajisjeve ndezëse në automjet (çakmakë, pajisje elektronike)
Sipas specialistëve, në shumë raste këto ngjarje mund të parandalohen thjesht përmes kontrolleve të rregullta, veçanërisht në periudhën qershor–gusht, kur makinat punojnë nën ngarkesë më të madhe për shkak të temperaturave të larta dhe udhëtimeve të gjata.
Apeli i ekspertëve është i qartë: kontrolloni mjetin përpara se të udhëtoni, drejtohuni tek specialistët dhe mos e neglizhoni asnjë shenjë të pazakontë. Siguria rrugore nis nga përgjegjësia individuale.
Për më shumë këshilla dhe lajme nga terreni, qëndroni me BluTV.
Komente