Turizmi në Gjirokastër nuk po ndikon vetëm në zhvillimin ekonomik të qytetit, por edhe në drejtimin e zgjedhjeve akademike të të rinjve. Dega e Turizmit në Universitetin “Eqerem Çabej” është kthyer këtë vit në një nga më të preferuarat, me një rritje të interesimit dhe frekuentimit me rreth 40% krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas pedagoges Antoneta Polo, studentët po e shohin këtë drejtim si një mundësi konkrete për të hyrë në tregun e punës menjëherë pas përfundimit të studimeve.
“Turizmi është kthyer në një sektor dinamik në zonën tonë, dhe studentët janë më të vetëdijshëm për nevojat e tregut,” tha Polo në një prononcim për Blu Televizion.
Interesim gjithnjë e më i madh po vjen edhe nga vetë bizneset turistike, të cilat përballen me mungesë të fuqisë punëtore dhe shohin në studentët e kësaj dege një burim të vlefshëm për punësim.
Industria e turizmit është jo vetëm një motor zhvillimi ekonomik për Gjirokastrën, por edhe një shans real për të rinjtë që kërkojnë të ndërtojnë një të ardhme profesionale në këtë sektor në rritje.
Komente