Rritet Interesi i Turistëve të Huaj për Kulturën dhe Historinë në Vlorë

Rritet Interesi i Turistëve të Huaj për Kulturën dhe Historinë në Vlorë

Qyteti bregdetar i Vlorës po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj, të cilët janë të pasionuar pas kulturës dhe historisë. Përveç plazheve të bukura dhe natyrës mahnitëse, ata janë gjithnjë e më shumë të interesuar për të vizituar zonat historike të qytetit. Turistët kërkojnë gjithashtu të njohin veshjet tradicionale të Vlorës, të bëjnë foto dhe shpesh kërkojnë suvenire që t’i mbajnë si kujtim nga ky qytet dhe Shqipëria.

Hyqmet Kapaj, administrator i një prej subjekteve në Qendrën Historike të Vlorës, konfirmon se turistët vijnë nga vende të ndryshme të botës. Ata shfaqin një interes të madh për veshjet popullore, reliket e vjetra dhe foto nga qyteti, dhe gjithashtu kërkojnë të marrin me vete diçka si një kujtim të veçantë nga Vlora dhe Shqipëria.

"Turistët që vizitojnë zonën historike të Vlorës vijnë nga shtete të ndryshme si Portugalia, Franca, Italia, dhe gjithashtu ka shumë vizitorë nga shqiptarët që jetojnë jashtë. Ata pranojnë se kanë gjetur një vend shumë të bukur, por gjithashtu një qytet të mbushur me histori dhe kulturë, që ka ngjallur mjaft interes," thotë Hykmeti.

''Vlora është jo vetëm një destinacion turistik bregdetar, por gjithashtu ofron mundësi për turizëm kulturor dhe historik. Interesi i turistëve të huaj për qytetin është rritur ndjeshëm vitet e fundit" shprehen disa turistë.

Kështu, Vlora jo vetëm që po tërheq turistët për plazhet e saj por po shndërrohet gjithashtu në një qendër të rëndësishme për turizmin kulturor dhe historik. Ky interes gjithnjë në rritje për pasuritë kulturore dhe historike të qytetit, ka kontribuar në zhvillimin e sektorit turistik dhe ka ofruar mundësi të reja për bizneset lokale.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-