Një helikopter ushtarak Z-9 u rrëzua në rajonin Ashanti të Ganës jugore duke shkaktuar vdekjen e tetë personave që ndodheshin në bord. Aksidenti ajror ndodhi të dielën, menjëherë pas ngritjes nga kryeqyteti Accra, gjatë udhëtimit për në qytetin Obuasi.
Si pasojë e përplasjes, humbën jetën dy ministra të rëndësishëm të qeverisë së Ganës. Ministri i Mbrojtjes Edward Omane Boama dhe ministri i Mjedisit, Shkencës dhe Teknologjisë Ibrahim Murtala Mohammed, u vranë tragjikisht në këtë aksident.
Përveç ministrave, gjithashtu humbën jetën Alhaji Muniru Mohammed, zv/Koordinatori i Sigurisë Kombëtare, ish-Ministri i Bujqësisë Samuel Sarpong, nënkryetari i Kongresit Demokratik Kombëtar (NDC), ish-kandidati parlamentar Samuel Aboajye dhe tre anëtarë të ekuipazhit të helikopterit.
Julius Debra, shefi i Shtabit të Presidentit John Mahama, konfirmoi ngjarjen dhe e quajti atë një “tragjedi kombëtare”. Ai njoftoi gjithashtu se flamujt në të gjithë vendin do të ulen në gjysmë shtizë si pjesë e ditës së zisë që është shpallur në Gana.
Në konferencën për shtyp, Debra theksoi se humbja e jetëve të dy ministrave dhe personave të tjerë të rëndësishëm është një goditje e madhe për vendin.
Komente