Shkolla e mesme “Thoma Papapano” në Gjirokastër ndodhet pranë rrugës kombëtare Gjirokastër–Kakavijë, dhe nxënësit e saj detyrohen të kalojnë këtë aks të rrezikshëm për të shkuar në mësim. E vetmja masë sigurie janë vija të bardha të dukshme vetëm në kushte të mira shikueshmërie dhe një tabelë që në kohë me mjegull humbet plotësisht funksionin.
Përveç sinjalistikës së pamjaftueshme, mungon edhe një trotuar ku këmbësorët mund të ecin të sigurt. Nxënësit thonë se kalimi i rrugës është i frikshëm dhe se ndihen të ekspozuar ndaj rrezikut nga mjetet që qarkullojnë me shpejtësi.
Edhe drejtuesit e shkollës pohojnë se siguria rrugore në këtë zonë është e pamjaftueshme dhe kërkojnë masa urgjente për të mbrojtur nxënësit.
Përfaqësues të drejtorisë rajonale të rrugëve shprehen se për ndërhyrje konkrete, si vendosja e barrierave apo ndërtimi i një mbikalimi, kërkohet një projekt i mirëfilltë dhe një kërkesë zyrtare e nisur nga bashkia. Deri atëherë, situata mbetet e njëjtë dhe nxënësit vijojnë të përballen çdo ditë me një rrezik serioz.
Komente