Rrëmbim dhe vrasje në Zenisht: 23-vjeçari Renis Dobra gjendet i pajetë në Shkopet – Autorët u prezantuan si policë

Rrëmbim dhe vrasje në Zenisht: 23-vjeçari Renis Dobra gjendet i pajetë në Shkopet – Autorët u prezantuan si policë

Detaje tronditëse janë zbuluar nga ngjarja e rëndë që tronditi mbrëmjen e kaluar fshatin Zenisht dhe zonën e Shkopetit. 23-vjeçari Renis Dobra u rrëmbye pranë banesës së tij dhe më pas u gjet i pajetë buzë liqenit në Shkopet, në rrethana ende të paqarta.

Sipas burimeve nga vendngjarja, disa persona të armatosur i kanë zënë pritë të riut pranë shtëpisë së tij, ndërsa ai po drejtonte automjetin e tij. Dyshohet se autorët janë prezantuar si punonjës policie, duke e mashtruar Dobrën për ta shoqëruar në komisariat.

Në momentin e ngjarjes, një automjet që po kalonte rastësisht është ndalur për të pyetur nëse kishte ndonjë problem, por autorët e kanë urdhëruar drejtuesin e atij mjeti të largohej menjëherë nga vendi.

Pas rrëmbimit, autorët kanë ndjekur një itinerar të ndryshëm dhe mëngjesin e sotëm trupi i pajetë i të riut është gjetur buzë liqenit në Shkopet.

Familjarët kërkojnë drejtësi dhe zbardhje të menjëhershme të ngjarjes. Babai i viktimës ka deklaruar për mediat se policia ka në dispozicion mjete teknologjike për identifikimin e autorëve, duke iu referuar kamerave të sigurisë që ndodhen përgjatë rrugës nacionale pranë bizneseve në Shkopet – shumë prej të cilave janë të pajisura me sistem identifikimi të fytyrës.

Sipas familjarëve, Renis Dobra nuk kishte asnjë konflikt apo përplasje të mëparshme që mund të çonte në këtë akt ekstrem. Edhe të afërm të tjerë të familjes theksuan se presin zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të autorëve.

Hetimet për ngjarjen vijojnë me intensitet nga grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë.

Lajmi nga: Vjola Murati
Vjola Murati

Vjola Murati

Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.

Komente

-