Procesi i rinumërimit të kutive të votimit në qarkun e Tiranës, që po vijon prej dy ditësh pas kërkesës së dy anëtarëve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), ka nxjerrë në pah parregullsi në përputhjen e votave midis procesverbaleve dhe përmbajtjes reale të kutive.
Sipas të dhënave paraprake, Partia Demokratike rezulton të ketë përfituar padrejtësisht 106 vota në procesin fillestar të numërimit, ndërsa Partia Socialiste 108 vota. Parregullsi janë konstatuar edhe në disa subjekte të tjera politike, ku Lëvizja Bashkë ka përfituar 9 vota më shumë, koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet 11 vota, PSD 5 vota dhe Partia Mundësia 1 votë.
Ndërkohë, disa forca politike janë penalizuar në numërim. Partisë së Lulzim Bashës i rezultojnë të “zhdukura” 6 vota, Koalicionit Djathtas për Zhvillim të Dashamir Shehit i mungojnë 3 vota, ndërsa nga një votë më pak kanë rezultuar edhe për PAKSH dhe Lëvizjen Atdheu.
Rinumërimi po hedh dritë mbi mangësitë dhe gabimet në procesin fillestar të numërimit dhe pritet të ndikojë në qëndrimet e subjekteve politike për ecurinë dhe besueshmërinë e zgjedhjeve në kryeqytet.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente