Pas rreth 15 ditësh problematika me furnizimin me ujë të pijshëm, qyteti i Vlorës do të furnizohet normalisht që prej ditës së sotme.
Lajmin e ka bërë të ditur Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Ermal Murati, gjatë një deklarate për mediat, ku ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për vështirësitë e javëve të fundit.
Sipas tij, lagjet më të prekura nga mungesa e ujit si Kushtrimi, Pus Mezin, Lirim, fshati Nartë dhe disa zona informale do të furnizohen tashmë në mënyrë të rregullt.
Murati shpjegoi se problemi ishte shkaktuar nga rënia e presionit të ujit, si pasojë e luhatjeve të tensionit të energjisë në pompimet, duke sjellë më pas mosfunksionimin e linjës së amortizuar të rrjetit ekzistues.
Zgjidhje afatgjatë: Linja e re e ujësjellësit gati në vitin 2026
Murati konfirmoi se po punohet për ndërtimin e një linje të re, e cila do të sjellë një zgjidhje përfundimtare të problemit të ujit në qytet.
Sipas tij, projekti pritet të përfundojë brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm.
Zgjerim i rrjetit në zonat rurale: Nartë, Zvërnec, Akërni
Krahas zgjidhjes së menjëhershme në qytet, Drejtori i UKV njoftoi gjithashtu për nisjen e disa projekteve të reja infrastrukturore për furnizimin me ujë në zonat e Nartës, Zvërnecit dhe Akërnit.
Projekti 20 milionë euro: Investim i financuar nga MIE
Prej kalimit të shoqërisë së Ujësjellës-Kanalizimeve nga administrimi i Bashkisë te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Vlorës i është akorduar një projekt me vlerë 20 milionë euro, i cili është aktualisht në proces ndërtimi dhe parashikon furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për të gjithë qytetin.
Çështja e ujit ka qenë një ndër temat më shqetësuese për banorët e Vlorës, veçanërisht në sezonin turistik. Me përfundimin e këtij projekti, synohet jo vetëm stabilizimi i furnizimit, por edhe përmirësimi i cilësisë së jetesës në të gjithë zonën urbane dhe rurale.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente