Restoranti në Sarandë që nuk hedh ushqimin – e dhuron për ata që kanë nevojë
Në një nga rrugicat buzë shetitores së Sarandës, mes lokaleve turistike me çmime të kripura, ndodhet një restorant ndryshe. Jo vetëm për gatimet tradicionale që të kujtojnë shtëpinë, por edhe për një frymëzim njerëzor që shkon përtej biznesit.
“Gatime shtëpie, vetëshërbim dhe çmime popullore” – ky është koncepti i restorantit të Omer Shehit, një sipërmarrës i cili, përveç ushqimit të mirë, ofron edhe një model të rrallë solidariteti në kohë fitimi.
Si funksionon?
Në restorantin e Omerit nuk ka kamarierë. Klientët zgjedhin vetë çfarë do të hanë, duke parë menunë dhe gatimet në banakun-vitrinë. Marrin tabakanë, shërbehen dhe vendosen ku të duan – brenda apo jashtë në verandë.
Çmimet? Të përballueshme. Edhe pse ndodhet në një zonë turistike, restoranti ruan etikën e një vendi për të gjithë. Ky është edhe një nga arsyet pse ka fituar një klientelë të qëndrueshme, që zgjedh cilësinë dhe çmimet me arsyetim.
Ushqimi që nuk shitet, nuk hidhet
Por ajo që e bën këtë restorant vërtet të veçantë është zemërgjerësia e pronarit. Ushqimi që mbetet çdo drekë apo darkë nuk përfundon në kosh, por paketohet dhe shpërndahet tek familjet në nevojë, të identifikuara në qytetin e Sarandës.
Në këtë zinxhir bamirësie është përfshirë edhe një punonjës i posaçëm – Ridwan Abounar, një egjiptian që jo vetëm ka mësuar shqip, por është bërë korrieri i solidaritetit. Me motorin e tij, Ridwani çon ushqimet në shtëpitë që presin trokitjen e tij si një dritë në fund të ditës.
“Më pëlqen kjo punë sepse ndihmojmë njerëz që kanë vërtet nevojë,” – thotë ai për Blu TV.
Një apel për të gjithë
Omer Shehi ka një mesazh të qartë:
“Ushqimi i tepërt nuk ka pse të shkojë dëm. Në çdo qytet ka njerëz që kanë nevojë. Nuk është vështirë të ndash atë që të mbetet.”
Në një sezon turistik ku fitimi është në fokus, ky model i rrallë sjell në vëmendje një vlerë të harruar – humanizmin. Dhe pse jo, të jetë shembull për restorantet e tjera anembanë vendit.
Komente
Merushe Isaj
Te lumte Thoma qe I kujton keta Sarandit te vjeter sepse ketu eshte harruar c'do gje punojne pushtetaret me nga 2,3 vende pune dhe ne kemi ngel pa pune nje bizness qe kishin nuk na e Lan te punonim
21 June 2025, 20:08
Merushe Isaj
Te lumte Thoma qe I kujton keta Sarandit te vjeter sepse ketu eshte harruar c'do gje punojne pushtetaret me nga 2,3 vende pune dhe ne kemi ngel pa pune nje bizness qe kishin nuk na e lan te punonim respekt per ty dhe per Saranditet.
21 June 2025, 20:09