Skulptura ikonike e shatërvanit në shëtitoren “Naim Frashëri” në Sarandë ka marrë jetë sërish, falë restaurimit të kujdesshëm nga skulptori Ilirjan Dalani. Vepra, e vendosur që prej viteve ’80 buzë bregut detar, paraqet imazhe simbolike të peshqve dhe guaskave, të derdhura në beton në stil klasik – një stil që, siç shprehet vetë autori, “Saranda e pranon dhe e përqafon”.
Pas dekadash pa asnjë ndërhyrje restauruese, skulptura kishte pësuar dëmtime të dukshme, çka tërhoqi vëmendjen e Dalanit, i cili ka instaluar këtë verë pranë saj edhe një stendë me punime mermeri dhe suvenire artistike.
“Ky kompleks skulpturor e kishte humbur vlerën, nga dëmtimet dhe mungesa e kujdesit. E kam ndjerë si detyrë dhe kënaqësi ta rikthej në vëmendje, me dashuri për qytetin dhe për brezat që do të vijnë”, u shpreh Dalani për BluTV.
Ajo që e nxiti më shumë për të ndërhyrë, nuk ishte vetëm dëmtimi i skulpturës, por edhe dëshira për të lënë një gjurmë njerëzore dhe emocionale. “Më jep kënaqësi të dëgjoj: ‘Këtë e ka bërë gjyshi Lili’ – më pëlqen që vepra të mbartë dashurinë për qytetin”, tha ai me emocion.
Ngjyrat e bardha të alternuara me nuanca bezhë i kanë dhënë skulpturës një pamje të re dhe të freskët, pa humbur frymën e saj origjinale. E vendosur në qendër të një shatërvani eliptik, vepra ka qenë gjithmonë një pikë referimi për banorët dhe vizitorët – qoftë për fotografi, selfie, apo si vendtakim simbolik.
Sot, në ditët e qershorit, falë përkushtimit të një artisti që nuk e ka harruar dashurinë për vendin e tij, skulptura e shatërvanit historik të Sarandës rifiton jo vetëm formën, por edhe shpirtin.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente