Rajoni i Korçës ka përjetuar reshje shiu në nivele të pazakonta gjatë muajve të fundit, duke u renditur si zona me sasinë më të lartë të reshjeve në shkallë vendi. Në dy episodet e fundit me reshje intensive, konkretisht gjatë 3–4 ditëve në nëntor 2024 dhe më 7 janar 2025, janë regjistruar gjithsej 494 milimetra shi.
Kjo sasi përfaqëson rreth 70 për qind të mesatares vjetore të reshjeve për këtë rajon, e cila është rreth 700 milimetra, dhe ka rënë brenda vetëm 4–5 ditëve. Të dhënat tregojnë se asnjë rajon tjetër i vendit nuk ka regjistruar nivele të ngjashme reshjesh gjatë kësaj periudhe.
Si pasojë e prurjeve të mëdha, në Fushën e Maliqit janë përmbytur rreth 4 mijë hektarë tokë bujqësore. Përmbytjet kanë ardhur pas çarjes së lumenjve Dunavec dhe Devoll, të cilët nuk kanë arritur të përballojnë sasinë e shtuar të ujërave.
Lumi Devoll është çarë dy herë gjatë kësaj periudhe, duke evidentuar amortizimin e argjinaturave ekzistuese. Specialistët theksojnë se situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe investime për mbrojtjen lumore, përmes ndërtimit të argjinaturave me rrjet gabioni si zgjidhje afatgjatë për parandalimin e përmbytjeve.
Komente