Reforma në administratën vendore në Fier – Dorëheqje në grup, por disa drejtues nuk preken. Propozohet emër i ri për nënkryetar

Reforma në administratën vendore në Fier – Dorëheqje në grup, por disa drejtues nuk preken. Propozohet emër i ri për nënkryetar

Fier, 10 Korrik 2025 – Teksa ka nisur procesi i dorëheqjeve në administratën vendore, pas kërkesës së drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama për një “vetëpastrim” të thellë institucional, burime nga selia rozë në Fier bëjnë me dije se disa drejtues nuk do të preken nga kjo lëvizje politike.

Sipas burimeve, në mbledhjen ku Rama kërkoi dorëheqjet në grup të drejtuesve lokalë, ai sqaroi se të gjithë ata që janë emëruar pas muajit janar 2025 përjashtohen nga ky urdhër. Si rrjedhojë, në Fier, drejtues si ata të OSHEE, Kadastres dhe Tatimeve nuk do të jenë të detyruar të dorëhiqen. Jo vetëm që janë të emëruar rishtazi, por konsiderohen edhe figura të reja në administratën publike.

Ky “vetëpastrim” synon të prekë veçanërisht drejtuesit e vjetër të administratës vendore, të cilët, sipas kryeministrit, nuk përfaqësojnë më standardet e kërkuara nga qeveria për administratën moderne dhe performuese.

Ndërkohë, në Bashkinë e Fierit, ende nuk janë dhënë dorëheqjet e dy nënkryetarëve, por qarkullojnë zëra për një emër të ri në këtë pozicion. Burime të sigurta bëjnë me dije se është propozuar Nusret Avdulla, ish-deputet i PDIU-së, i cili iu bashkua Partisë Socialiste pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021.

Megjithatë, Avdulla ka sqaruar përmes një kontakti telefonik se aktualisht është ende deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe mandati i tij zyrtarisht përfundon më 10 shtator 2025, çka përbën pengesën e vetme për emërimin e menjëhershëm në postin e propozuar.

Ndryshe nga sa është spekuluar, burimet theksojnë se Nusret Avdulla nuk do të zëvendësojë dy nënkryetarët aktualë, por do të rikthehet formati me tre nënkryetarë në Bashkinë e Fierit, siç ka qenë edhe më parë.

Nga ana tjetër, disa drejtues të institucioneve në varësi të bashkisë kanë deklaruar për mediat lokale se nuk kanë ndërmend të japin dorëheqje, duke argumentuar se kanë qenë maksimalisht të angazhuar në fushatat e fundit dhe nuk ndihen përgjegjës për ndryshimet që kërkon reforma aktuale.

BluTV do të vijojë të ndjekë nga afër zhvillimet në Fier dhe në qytetet e tjera ku pritet të ndodhin ndryshime në nivel drejtues.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-