Receta e Ditës - Tavë me Kungulleshka

Receta e Ditës - Tavë me Kungulleshka

Ditën e sotme ne kemi menduar t'iu sjellim një recetë që garanton të sjellë verën australiane në tryezën tuaj - Tava me Kungulleshka ose sic njihet botërisht Zucchinni Slice.
Kjo recetë shumë e dashur nga populli australian është bërë pjesë e pandashme e piknikëve, darkave të shpejta dhe kutive të ushqimit për në punë apo shkollë. Shumë familje e konsiderojnë këtë një nga recetat më praktike dhe të dashura.

Çfarë është “Zucchini Slice”?
Është një tavë e kripur, e bërë me kungulleshka të grira, vezë, miell, djathë të verdhë dhe shpesh edhe proshutë ose bacon të copëtuar. Kombinimi i këtyre përbërësve krijon një strukturë të butë, të shijshme dhe shumë të lehtë për t’u prerë në feta – ndaj edhe quhet “slice”.
Është perfekte për t’u ngrënë si pjatë kryesore, por edhe si ushqim i shpejtë për udhëtime apo shëtitje në natyrë.

Nga Australia, drejt kuzhinës shqiptare
Zucchini slice është një shembull se si një recetë e thjeshtë dhe praktike nga një cep i botës mund të bëhet e dashur kudo. Me përbërës të përballueshëm dhe shije të freskët, ajo po fiton gjithnjë e më shumë vend edhe në tryezat shqiptare, sidomos në stinën e verës kur kungulleshkat janë të bollshme.

Përbërësit:
2 kungulleshka mesatare (rreth 300-400 g), të grira

1 qepë e vogël, e grirë hollë

3 vezë

1 filxhan djathë i grirë (cheddar ose kaçkavall)

1/2 filxhan vaj vegjetal ose vaj ulliri

1 filxhan miell i bardhë (mund të përdorni edhe miell integral)

100 g proshutë e grirë ose bacon (opsionale)

Kripë dhe piper sipas shijes

Mënyra e përgatitjes:
Ngrohni furrën në 180°C dhe lyeni një tavë me vaj ose vendosni letër pjekjeje.

Grini kungulleshkat dhe shtrydhini mirë për të larguar ujin e tepërt. (Mund të përdorni një pecetë kuzhine ose sitë.)

Në një tas të madh, përzieni vezët e rrahura me vajin, djathin, qepën dhe (nëse përdorni) proshutën.

Shtoni miellin dhe përziejeni mirë derisa masa të jetë homogjene dhe pa kokrriza.

Shtoni kungulleshkat e shtrydhura, kripë dhe piper sipas shijes. Përziejeni gjithçka bashkë.

Hidhni masën në tavën e përgatitur dhe rrafshojeni me spatulë.

Piqeni për 35–40 minuta, ose derisa sipërfaqja të jetë e artë dhe brendësia të mos jetë e lagësht.

Lëreni të ftohet pak përpara se ta prisni në feta.

Këshillë ekstra:
Shërbejeni me një sallatë të freskët ose kos të ftohtë – është një pjatë ideale për verë, për drekë në zyrë apo edhe për piknik me miqtë.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-