Receta e Ditës - Qofte me kungull dhe mish pule në salcë speci të kuq

Receta e Ditës - Qofte me kungull dhe mish pule në salcë speci të kuq

Të gjithë shqiptarët i adhurojnë qoftet me mish dhe lëng salce domateje. Të ghithë ne jemi rritur me një pjatë të ngrohtë me qofte me lëng, zakonisht të gatuara nga gjyshja ose nëna. Është një nga ato ushqime që ngjall kujtime të fëmijërisë, tryezat e fundjavës, erën e kuzhinës dhe ndjesinë e përkujdesjes.

Ne kemi vendosur të sjellim një version tjetër të kësaj recete por me një "element ndryshe". Në vend të mishit të përzier dhe salcës së trashë me domate dhe qepë, kjo recetë sjell një shije më të freskët dhe të butë falë kungullit të grirë dhe mishit të pulës. Salca me spec të kuq të pjekur i jep një aromë të veçantë dhe një ngjyrë të gjallë pjatës duke e bërë atë një përzierje perfekte mes traditës dhe një qasjeje më të shëndetshme e bashkëkohore. Një mënyrë e re për të rizbuluar një klasik shqiptar.

Përbërësit (për 4 persona)

Për qoftet:
450 gr mish pule i grirë

450 gr kungull i grirë (nuk ka nevojë ta shtrydhni)

½ filxhan thërrime buke me erëza italiane

1 vezë

1 lugë çaji hudhër pluhur

1 lugë çaji qepë pluhur

1 lugë gjelle erëza italiane (ndarë në 2 pjesë)

½ lugë çaji kripë (ndarë në 2 pjesë)

Piper i zi sipas dëshirës

1 lugë gjelle vaj ulliri

Për salcën:
1 kavanoz (340 gr) speca të kuq të pjekur, të shpëlarë

1 kuti (425 gr) domate të grira

2 thelpinj hudhre

½ filxhan qepë të grira

¼ filxhan majdanoz (ose borzilok të freskët)

Pak kripë

1. Përgatisni përbërësit
Filloni duke grirë kungullin në rende të imët. Nuk ka nevojë ta shtrydhni nga lëngu, pasi pikërisht lagështia natyrale e kungullit ndihmon që qoftet të dalin të buta dhe të lëmuara.

Në një tas të madh shtoni:

- mishin e grirë të pulës,

- kungullin e grirë,

- vezën,

- thërrimet e bukës me erëza,

- hudhrën dhe qepën pluhur,

- gjysmën e sasisë së erëzave italiane,

- kripë dhe piper sipas shijes.

Përziejini mirë me dorë ose me një lugë të madhe druri derisa të formohet një masë kompakte.

2. Formoni qoftet
Merrni rreth 2 lugë nga masa për çdo qofte dhe formoni toptha me pëllëmbë. Vendosini qoftet në një pjatë ose në një tepsi të shtruar me letër kuzhine. Do të përfitoni rreth 20 qofte.

3. Skuqni qoftet
Ngrohni vajin e ullirit në një tigan të madh jo-ngjitës në zjarr mesatar. Shtoni qoftet dhe skuqini nga të gjitha anët derisa të marrin një ngjyrë të artë. Mos i grumbulloni shumë, për të mos ulur temperaturën e vajit. Pasi të jenë skuqur lehtë, ulni temperaturën në të ulët ndërsa përgatisni salcën.

4. Përgatitni salcën me spec të kuq
Në një blender ose mikser elektrik vendosni:

- specat e kuq të pjekur (të shpëlarë dhe të kullojnë mirë),

- domatet e grira,

- qepën e copëtuar,

- hudhrat,

- majdanozin e freskët (ose borzilok),

- pjesën tjetër të erëzave italiane dhe pak kripë.

Përziejeni mirë derisa të krijohet një salcë e butë dhe homogjene me ngjyrë të ndezur.

5. Ziejini së bashku
Shtoni salcën direkt në tiganin ku ndodhen qoftet. Përzieni lehtë që salca të mbulojë të gjitha qoftet. Lëreni të ziejnë në zjarr mesatar për 10–12 minuta pa kapak, derisa qoftet të gatuhen plotësisht dhe salca të trashet pak.

6. Shërbimi
Hiqni nga zjarri dhe dekoroni me majdanoz të freskët të grirë hollë. Kjo pjatë shkon shkëlqyeshëm me oriz të bardhë, pure patatesh, makarona, quinoa ose edhe me bukë të thekur për të mbledhur salcën.

Për një shije më të pasur, shtoni sipër djathë të bardhë të thërrmuar, parmixhano të grirë apo edhe pak djathë dhie.

Ruajtja dhe këshilla ekstra
Mund t’i përgatisni qoftet dhe salcën një ditë përpara dhe t’i bashkoni në momentin e gatimit.

Qoftet dhe salca ruhen në frigorifer për 3–4 ditë.

Mund të ngrihen dhe ruhen në ngrirje deri në 2 muaj.

Provojeni këtë recetë dhe ndani me ne ekperiencën tuaj!

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-