Receta e ditës – “Oriz i Skuqur”: Një shije aziatike në kuzhinën tuaj

Receta e ditës – “Oriz i Skuqur”: Një shije aziatike në kuzhinën tuaj

Nëse kërkoni një recetë të shpejtë, të shijshme dhe plot ngjyra, orizi i skuqur ose sic njihet ndryshe "fried rice"është zgjidhja perfekte! Një nga gatimet më të njohura të kuzhinës aziatike, fried rice është një pjatë që mund të përshtatet lehtësisht me përbërësit që keni në frigorifer, duke u bërë ideale për një darkë të lehtë apo një drekë të shijshme në familje. Orizi mund të përgatitet thjesht me perime ose me mish pule dhe karkaleca, në varësi të preferencave tuaja.

Përbërësit (për 3-4 persona):
2 gota oriz i bardhë, i zier dhe i ftohur (nga dita e mëparshme, nëse është e mundur)

150 gr karkaleca të qëruar

150 gr mish pule (fileto) i prerë në kubikë të vegjël

2 vezë

1 karotë e grirë hollë ose në kube

1/2 filxhan bizele

2 qepë të njoma të prera hollë

1 thelb hudhër i grirë imët

2 lugë gjelle salcë soje

Vaj luledielli ose susami për skuqje

Kripë dhe piper sipas shijes

(Opsionale: pak limon dhe fara susami për dekor)

Përgatitja:
Skuqni mishin e pulës dhe karkalecat: Në një tigan të madh ose wok, ngrohni pak vaj dhe kaurdisni hudhrën për disa sekonda. Shtoni mishin e pulës dhe kaurdiseni për 4-5 minuta derisa të marrë ngjyrë të artë. Shtoni karkalecat dhe vazhdoni skuqjen për 3-4 minuta të tjera, derisa të jenë gatuar mirë. Hiqini nga tigani dhe lërini mënjanë.

Skuqni vezët: Në të njëjtin tigan, shtoni pak vaj nëse është e nevojshme, rrihni vezët dhe skuqini. Më pas grijini në copa të vogla brenda në tigan dhe lërini aty.

Shtoni perimet: Hidhni karotat dhe bizelet, dhe kaurdisini për disa minuta derisa të zbuten.

Shtoni orizin: Hidhni orizin e ftohur dhe përziejeni me perimet dhe vezët. Lëreni të skuqet për disa minuta duke përzier rregullisht.

Kthejeni mishin dhe karkalecat në tigan: Shtoni përsëri mishin e pulës dhe karkalecat në përzierje. Shtoni salcën e sojës, qepët e njoma, pak kripë dhe piper. Përziejini mirë që shijet të përzihen dhe lëreni edhe 2 minuta në zjarr.

Shërbejeni të nxehtë, të dekoruar me fara susami ose pak lëng limoni sipas dëshirës.

Një pjatë, dy shije – pse ia vlen ta provoni?
Kombinimi i karkalecave dhe mishit të pulës në këtë recetë i jep pjatës një shije të pasur dhe të balancuar. Me përbërës të thjeshtë dhe pak kohë përgatitjeje, "fried rice" është një mënyrë e zgjuar për të sjellë një drekë ose darkë të plotë dhe të shijshme në tryezën tuaj.

Provoni sot këtë recetë me frymëzim aziatik dhe surprizoni familjen me një pjatë që përgatitet shpejt por mbetet gjatë në kujtesë!

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-