Gjatë ndjekjes së studimeve universitare,në mes të izolimit dhe pasigurisë që solli pandemia e COVID-19, gjetja e gëzimeve të vogla u bë më e rëndësishme se kurrë. Ishte një periudhë e qetë në pamje por kaotike brenda — larg njerëzve të dashur, me mësime online dhe me një ndjesi konstante të pezullt. Në atë kohë bumi mediatik ishte absolutisht masiv edhe videot me në sfond ushqimin e sidomos atë aziatik ishin tepër popullore. Në morinë e videove mbi kafetë Dalgona, noodlesave koreane dhe pulës së skuqur u ndesha rastësisht me një recetë për Nasi Goreng. Sigurisht që nuk kisha asnjë minutë për të humbur përveç se ta gatuaja menjëherë.
"Nasi Goreng" është një nga gatimet më të njohura dhe më të dashura në gjithë Azinë Juglindore – veçanërisht në Indonezi, ku konsiderohet si pjatë kombëtare. Me aromë të thellë, e balancuar mes të ëmblës, të kripurës dhe djegëses, është ideale për të ricikluar orizin e mbetur nga dita e djeshme – por edhe për të përgatitur diçka të re dhe të shijshme.
Përbërësit (për 2 persona):
2 filxhanë oriz i gatuar dhe i ftohur (mundësisht nga një ditë më parë)
2 lugë vaj vegjetal ose vaj susami
2 thelpinj hudhër (të grira hollë)
1 qepë e vogël (e grirë imët)
1 vezë
1 karotë (e prerë në kubikë të vegjël)
½ filxhan bizele (ose perime të tjera sipas dëshirës)
100g mish pule, karkaleca ose tofu (sipas preferencës)
2 lugë salcë soje e errët
1 lugë salcë soje e ëmbël indoneziane (kecap manis) – opsionale, por autentike!
1 lugë çaji salcë çili ose sambal
Kripë dhe piper sipas shijes
Qepë të njoma, kastravec dhe domate për garniturë
Përgatitja
Ngrohni vajin në një tigan të madh ose wok. Shtoni hudhrën dhe qepën, skuqini derisa të zbuten dhe të fillojnë të marrin ngjyrë.
Shtoni mishin ose proteinën që keni zgjedhur. Skuqeni derisa të gatuhet plotësisht.
Shtoni karotat dhe bizelet. Përziejini mirë për 2-3 minuta.
Shtoni vezën në qendër të tiganit, përziejeni shpejt për ta bërë "scrambled".
Shtoni orizin e ftohur. Përziejeni mirë që të shkëputet dhe të përthithë shijen.
Shtoni salcat: sojën, kecap manis dhe sambal. Përziejeni fuqishëm për disa minuta që gjithçka të përzihet në mënyrë të njëtrajtshme.
Shërbejeni të ngrohtë me kastravec të freskët, domate dhe qepë të njoma anash. Mund të shtoni edhe një vezë të skuqur sipër për stilin klasik “nasi goreng spesial”
Nasi Goreng është i shpejtë, ekonomik dhe tepër aromatik. Është perfekte për darkë, për një vakt të plotë pas pune, apo edhe për të bërë përshtypje kur ke miq në shtëpi. Provoni ta përgatisni vetë në shtëpi dhe përjetoni një copëz nga magjia e kuzhinës indoneziane!
Komente