Strukturat e mbrojtjes civile zhvilluan në Gjirokastër stërvitjen “Reagimi ndaj zjarreve masive 2025”, një ushtrim i rëndësishëm për testimin e gatishmërisë për sezonin e verës, i cili shoqërohet gjithnjë e më shumë me rrezikun e zjarreve në natyrë.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndau në rrjetet sociale momente nga stërvitja, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Ky trajnim është një test i rëndësishëm i gatishmërisë operacionale, në një kohë kur rreziku nga zjarret është në rritje për shkak të ndryshimeve klimatike dhe ndërhyrjeve të pakujdesshme njerëzore në shumë raste,” u shpreh ministri Vengu.
Ai theksoi se 90% e zjarreve shkaktohen nga faktori njeri, ndaj ndërgjegjësimi dhe kujdesi mbeten vendimtarë. “Vigjilenca dhe përgjegjësia janë arma më e fortë kundër fatkeqësive natyrore,” deklaroi Vengu.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijojnë punën për forcimin e kapaciteteve parandaluese dhe për përmirësimin e ndërhyrjes në kohë reale në rast emergjencash.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente