Një incident i ndodhur në zonën e Lungomares në Vlorë ka shkaktuar shqetësim te qytetarët dhe pushuesit, pas sjelljeve agresive të një personi me probleme të shëndetit mendor.
Sipas denoncimeve të mbërritura në polici, qytetarët janë ndier të kërcënuar dhe të rrezikuar gjatë lëvizjes së tyre në zonën turistike, ndërsa personi në fjalë, rreth 55 vjeç, dyshohet se ka pasur episode të shqetësimit dhe agresivitetit verbal.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje ka ndërhyrë një patrullë e Forcave “Shqiponja”, së bashku me shërbimin e ambulancës, për të vlerësuar dhe menaxhuar situatën.
Burime pranë Policisë së Shtetit kanë konfirmuar për BluTV se personi dyshohet të ketë qenë më herët i shtruar në spitalin psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë. Po ashtu, bëhet me dije se ky nuk është rasti i parë i evidentuar në qytet.
Në kushtet e përsëritjes së situatave të ngjashme, policia ka deklaruar jashtë kamerës se do të hartohet një plan masash në bashkëpunim me institucionet e shëndetësisë, për të adresuar në mënyrë të përgjegjshme dhe të organizuar rastet e personave me probleme të shëndetit mendor që paraqesin rrezikshmëri për veten dhe të tjerët.
Qytetarët dhe pushuesit janë ftuar të raportojnë në kohë çdo situatë të pazakontë për të siguruar një mjedis sa më të sigurt dhe të qetë gjatë sezonit turistik.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente