Rama takim me fermerë dhe sipërmarrës bujqësorë: Nevojitet bashkëpunim i ri për të ndërtuar modelet e duhura në fshat

Rama takim me fermerë dhe sipërmarrës bujqësorë: Nevojitet bashkëpunim i ri për të ndërtuar modelet e duhura në fshat

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me fermerë dhe sipërmarrës në sektorin e bujqësisë, me qëllimin për të dëgjuar nga afër problematikat, idetë dhe nevojat që lidhen me zhvillimin rural, si dhe për të ndërtuar një model të ri bashkëpunimi në funksion të përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në BE në vitin 2030.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u shpreh se kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit e fshatit është thelbësor për të kuptuar realisht sfidat që hasin ata në jetën e përditshme.

“Gjatë kontakteve intensive gjatë fushatës kemi ndjerë nevojën për të dëgjuar më shumë. Janë shumë çështje që në pamje të parë duken të vogla, por që në fakt mbeten jashtë radarit të politikëbërjes dhe kërkojnë vëmendje të drejtpërdrejtë,” u shpreh Rama.

Ai theksoi se formati i takimit ishte i menduar ndryshe, jo vetëm për të zhvilluar një diskutim të hapur e informal, por edhe për të ndërtuar një urë të re komunikimi dhe bashkëpunimi midis qeverisë dhe atyre që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale.

Qeveria synon kthesë në qasjen ndaj fshatit
Rama kritikoi mospërfshirjen e pushtetit vendor në zhvillimin bujqësor, duke e cilësuar këtë si një “hallkë të dobët” të administratës pas reformës territoriale.

“Sot nuk kemi asnjë ndërmarrje bujqësore të krijuar nga bashkëpunimi midis fermerëve, sipërmarrësve dhe bashkive. Janë bërë disa tentativa, por nuk kemi ndërtuar ende një model funksional,” u shpreh kryeministri.

250 milionë euro për projekte në fshat – por mungon qasja
Rama njoftoi se është vënë në dispozicion një linjë e re kredie prej 250 milionë eurosh për sektorin bujqësor nëpërmjet Bankës së Shqipërisë, në kombinim me garancinë sovrane që tashmë është në fuqi. Por ai theksoi se pa një ndryshim të qasjes dhe pa një bashkëpunim më të ngushtë me aktorët në terren, këto mjete financiare nuk do të japin efektin e duhur.

“Ne, si politikëbërës dhe vendimmarrës, duhet të ndryshojmë mënyrën si e shohim zhvillimin rural. Na duhet një plan konkret për të ndërtuar modele të qëndrueshme që mbështeten te realiteti i fshatit, jo te abstraksioni,” tha Rama.

Objektivi: një kapitull i ri bashkëpunimi
Në përmbyllje të takimit, Rama theksoi rëndësinë e ngritjes së një platforme të re të bashkëpunimit lokal, me përfshirjen aktive të drejtuesve vendorë, fermerëve dhe sipërmarrësve ruralë.

“Shpresoj që nga ky diskutim të nisim një kapitull të ri bashkëpunimi me territoret ku zhvillohet jeta e përditshme e fshatit. Bashkë mund të ndërtojmë modele që nuk janë vetëm të dobishme, por edhe të qëndrueshme në kohë,” përfundoi kreu i qeverisë.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-