Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim të posaçëm me deputetët e qarkut Tiranë, drejtues politikë dhe autoritetet e Bashkisë së Tiranës, ku diskutuan masat e reja për lirimin e hapësirave publike dhe aksionet kundër informalitetit në ndërtim. Ky takim erdhi pas një periudhe shqetësuese për uzurpimin e hapësirave publike dhe zhvillimin e ndërtimit të paligjshëm.
Rama theksoi se aksioni për lirimin e hapësirave publike është vetëm fillimi i një etape të re për menaxhimin e territorit dhe shtetit. Ai paralajmëroi se nuk do të ketë më tolerancë për shkelësit dhe kërkoi angazhimin e deputetëve dhe autoriteteve lokale në terren.
"Sot nuk ka më tolerancë në këtë proces. Deputetët duhet të dalin në terren, pranë komunitetit dhe qytetarëve që po pengohen nga ata që me guxim të tepruar kanë uzurpuar hapësirat publike," u shpreh Kryeministri.
Kryeministri njoftoi se veprimet do të jenë të drejtpërdrejta dhe pa kompromis: "Sot do të bëhet konfiskimi i një pallati në Vlorë. Korça është qarku me më pak problematika,” shtoi ai.
Ai komentoi dhe praktikat abuzive që po zhvillohen në Lungomare të Vlorës, ku disa individë vendosin pajisje të tilla si karrige dhe çadra në hapësira publike dhe më pas kërkojnë legalizim. "Hapësira publike nuk është pronë private. Këto praktika duhet të marrin fund," theksoi Rama, duke shtuar se një reformë e re do të ndërmerret për ta kthyer situatën mbrapsht.
Në lidhje me sektorin e ujësjellësit, Rama bëri të ditur se do të nevojitet një akt normativ i ri për të përmirësuar këtë sektor. “Do të jetë e vështirë, por e pandalshme. Ajo që po bëjmë është e duhura dhe do ta çojmë deri në fund,” përfundoi Kryeministri, duke theksuar se shumica parlamentare prej 83 votash do të vihet në shërbim të qytetarëve.
Ky aksion vjen në një periudhë kur qeveria ka intensifikuar përpjekjet për të luftuar informalitetin dhe uzurpimin e hapësirave publike, duke siguruar një menaxhim më të mirë të territorit dhe duke i dhënë fund abuzimeve me pronat publike.
Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.
Komente