Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale një video të mrekullueshme nga malësitë e Tepelenës, duke i cilësuar pamjet si “fantastike”. Videoja shfaq peizazhe të rralla dhe natyrë të paprekur, duke e vendosur këtë zonë të jugut në qendër të vëmendjes për potencialin e saj turistik.
Tepelena, e pozicionuar në krahinën e Dervenit dhe e përshkuar nga lumi i egër dhe i bukur i Vjosës, kufizohet nga vargmale spektakolare si Shëndëllia, Goliku, Trebeshina dhe Nemërçka. Ky peizazh i rrallë krijon një mozaik natyror që e bën zonën një destinacion të preferuar për turistët vendas dhe të huaj.
Qyteti është i njohur për kalanë e famshme të Ali Pashë Tepelenës, vend strategjik që ngrihet mbi shkëmbinj dhe përballë rrjedhës së Vjosës. Jo shumë larg ndodhen edhe fshatra historikë, malësia e Kurveleshit dhe monumente të tjera të trashëgimisë kulturore, si ujësjellësi i Aliut në Bënçë dhe ujërat e kristalta të “Ujit të Ftohtë”.
Përveç natyrës, Tepelena ofron një pasuri të rrallë kulturore, që shtrihet në të gjithë zonën e Labërisë dhe djathtas luginës së Vjosës, përfshirë edhe vendet e shenjta si kisha, xhami dhe teqe me vlera historike.
Atraksionet kryesore që e bëjnë Tepelenën gjithnjë e më të kërkuar si destinacion turistik janë:
Lumi i Vjosës, i njohur si lumi i fundit i egër në Europë
Kalaja e Ali Pashë Tepelenës
Ujësjellësi historik i Aliut në Bënçë
Uji i Ftohtë dhe burimet natyrore freskuese
Kanionet dhe ujëvarat e Nivicës
Tepelena nuk është vetëm një udhëtim në natyrë, por edhe një rrugëtim në histori dhe kulturë – një destinacion i përkryer për ata që kërkojnë aventura, qetësi dhe autenticitet shqiptar.
Gentjan Kellçiu është gazetar dhe moderator nga Vlora, i njohur për raportimet e tij në terren dhe drejtimin e emisioneve informative. Aktualisht ai drejton emisionin e mëngjesit “Agon Blu” në Blu TV.
Komente