Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kritikuar ashpër planin e ri të Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në “qendra kthimi” në vendet e treta, duke e konsideruar këtë si një tregues të qartë se “Britania pas Brexit-it është në një vend shumë të errët”.
Në një intervistë për median britanike The Guardian, Rama është shprehur se kjo qasje do të kishte qenë e paimagjinueshme një dekadë më parë. “Ideja që Britania të kërkojë vende për të larguar emigrantët, është një nga ato gjëra që 10 vjet më parë nuk do të kishte qenë e imagjinueshme,” tha ai.
Sipas artikullit të The Guardian, kjo skemë, e cila u njoftua muajin e kaluar nga kryeministri britanik Keir Starmer gjatë një vizite në Shqipëri, parashikon ngritjen e qendrave në një vend të tretë për të përpunuar kërkesat e personave që janë refuzuar për azil dhe kanë shteruar të gjitha rrugët ligjore në Britani.
Artikulli ndalet edhe te marrëdhëniet e tensionuara mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar gjatë qeverive të mëparshme konservatore, të cilat u përkeqësuan nga retorika mbi emigracionin e paligjshëm dhe kalimet me anije në Kanalin Anglez.
Po ashtu, theksohet se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për ndërtimin e qendrave të përpunimit të emigrantëve është përballur me pengesa ligjore dhe ende nuk është zbatuar.
Në shkrim i jepet vëmendje edhe zhvillimeve të brendshme në Shqipëri, përfshirë fushatën për zgjedhjet e 11 majit dhe angazhimet e Ramës për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Deklaratat e Ramës shënojnë një qëndrim të prerë ndaj politikave të emigracionit të disa vendeve të BE-së dhe ngrenë shqetësime për ndikimin e këtyre qasjeve në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të drejtat e azilkërkuesve.
Komente