Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se arkitektët do të mbajnë përgjegjësi ligjore për ndërtimet që devijojnë nga projektet e miratuara. Kjo deklaratë u bë gjatë vizitës së tij në Qendrën për Inovacion dhe Teknologji NEST, ku u prezantua një start-up i rinjsh shqiptarë për financimin e sektorit të ndërtimit.
Rama theksoi se ndërtimi i projekteve të besueshme është një nevojë emergjente për komunitetin e investitorëve dhe ndërtuesve në Shqipëri. Sipas tij, interesimi për projektet që përfshijnë arkitektë të huaj ka marrë dimensione ndërkombëtare, duke shtrirë ndikimin edhe në fushën e investimeve.
"Projekte me arkitektë të huaj kanë ngjallur interesim të madh global dhe ky është një zhvillim pozitiv për Shqipërinë. Por, përballë besueshmërisë së arkitektëve, duhet të kemi gjithashtu besueshmërinë e projektit për t'u realizuar ashtu siç është parashikuar," tha Rama.
Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se nuk bëhet fjalë për detaje të vogla, por për ndërtimin e volumit të saktë të projekteve, duke theksuar se devijimet nga projektet e miratuara janë një problem serioz që kërkon ndërhyrje urgjente.
"Ky është një problem që duhet trajtuar me masa të reja ligjore. Arkitektët do të jenë përgjegjës për realizimin e projekteve, si nga ana morale ashtu edhe ligjore. Ne do të punojmë për të siguruar që projektet të realizohen besnikërisht, pa devijuar nga plani origjinal," shtoi Rama.
Kjo masë synon të përmirësojë cilësinë dhe besueshmërinë e sektorit të ndërtimit në Shqipëri, duke garantuar që ndërtimet të respektojnë standardet dhe projektet e miratuara.
Komente