“Qytetar Nderi” për Mira Muratin – Bashkia e Vlorës nderon tre figura me ndikim ndërkombëtar
Bashkia e Vlorës ka propozuar dhënien e titullit të lartë “Qytetar Nderi i Vlorës” për tre personalitete që kanë shkëlqyer në skenën ndërkombëtare dhe që mbajnë me krenari origjinën vlonjate.
Në mbledhjen e fundit të Komisionit Këshillimor për Titujt Vendor të Nderit, janë propozuar për këtë titull:
Mira Murati – inxhiniere dhe drejtuesja e zhvillimit të inteligjencës artificiale në kompaninë OpenAI. E lindur në Vlorë, ajo ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e teknologjive të avancuara, duke u bërë një nga figurat më të njohura në fushën e inovacionit në shkallë globale.
Andi Hoxhaj – profesor dhe ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, i emëruar Oficer i Urdhrit Më të Shkëlqyer të Perandorisë Britanike (OBE) në Listën e Nderimeve të Vitit të Ri 2024, për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.
Josif Gjipali – tenor me famë ndërkombëtare, i cili ka interpretuar në skena prestigjioze të Evropës dhe ka promovuar kulturën shqiptare përmes zërit dhe talentit të tij të rrallë.
Vendimi final për ndarjen e titujve pritet të miratohet nga Këshilli Bashkiak i Vlorës, si një vlerësim simbolik për personalitetet që kanë lartësuar emrin e qytetit në fusha të ndryshme.
Efrosina Papa, gazetare me një karrierë 26-vjeçare në median e Vlorës, është një zë i dalluar i informimit lokal, që ka ndërtuar me përkushtim urën mes qytetarëve dhe ngjarjeve të ditës. Ajo është e njohur për pasqyrimin e drejtë dhe të ndershëm të realitetit, me vëmendje të veçantë ndaj historive njerëzore dhe figurave punëtore të komunitetit.
Komente