Qeveria izraelite miraton planin për zgjerimin e ofensivës në Gaza

Qeveria izraelite miraton planin për zgjerimin e ofensivës në Gaza

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, nën drejtimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, ka miratuar unanimisht një plan për zgjerimin e operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës. Lajmi u bë i ditur nga mediat izraelite në orët e para të mëngjesit të së dielës, duke cituar burime nga qeveria.

Sipas raportimeve të gazetës Times of Israel, plani i ri ushtarak pritet të zbatohet pas vizitës zyrtare të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili pritet të qëndrojë në rajon nga data 13 deri më 16 maj.

Në paralel, autoritetet izraelite kanë sinjalizuar përpjekje për të arritur një marrëveshje të re armëpushimi me grupin militant palestinez Hamas, edhe pse nuk ka ende hollësi konkrete lidhur me përmbajtjen apo afatet e mundshme të një marrëveshjeje të tillë.

Po ashtu, burimet qeveritare cituara nga e përditshmja izraelite bëjnë me dije se është miratuar një plan për rifillimin e kufizuar të dërgimit të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës. Kjo lëvizje synon të sigurojë që ndihma të mos keqpërdoret nga Hamasi dhe të përqendrohet te nevojat emergjente të popullsisë civile.

Prej më shumë se dy muajsh, ndihma humanitare ka qenë e bllokuar nga autoritetet izraelite, duke ngritur shqetësime ndërkombëtare për përkeqësimin e situatës humanitare dhe akuza serioze se uria po përdoret si mjet presioni.

Zhvillimet e fundit vijnë në një moment tensionesh të larta në rajon dhe përballje të vazhdueshme ushtarake mes Izraelit dhe Hamasit, me pasoja të rënda për civilët palestinezë dhe shqetësime në rritje nga komuniteti ndërkombëtar.

Lajmi nga: Vjola Murati
Vjola Murati

Vjola Murati

Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.

Komente

-