Për herë të parë këtë sezon veror, në ambientet pranë kishës së Shën Ndout në Laç është hapur një Qendër Shëndetësore Verore, në shërbim të qytetarëve dhe pelegrinëve që vizitojnë këtë vend të rëndësishëm shpirtëror.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, bëri të ditur se qendra do të ofrojë shërbim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, përgjatë gjithë sezonit turistik. “Shëndeti i çdo vizitori është prioritet për ne. Me ekipin e mjekëve dhe infermierëve jemi të gatshëm të ofrojmë kujdesin e nevojshëm në çdo moment”, shkroi Koçiu në rrjetet sociale.
Nga ana tjetër, specialisti i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Ermal Meraj, theksoi se kjo qendër është pjesë e një nisme të Ministrisë për të garantuar mbulim mjekësor në pikat me fluks të lartë turistësh gjatë verës. “Qendra do të jetë e hapur 24/7 deri në fund të sezonit, në ndihmë të të gjithë qytetarëve që vizitojnë kishën e Shën Ndout,” deklaroi ai.
Kjo masë vjen në një moment kur përfundon pelegrinazhi i përvitshëm i “13 të martave”, një traditë që sjell besimtarë nga e gjithë Shqipëria në Laç, shumë prej të cilëve qëndrojnë gjatë gjithë natës në ambientet përreth kishës. Prania e kësaj qendre shëndetësore rrit sigurinë dhe garanton kujdesin e nevojshëm shëndetësor për të gjithë vizitorët në këtë vend të bekuar.
Efrosina Papa, gazetare me një karrierë 26-vjeçare në median e Vlorës, është një zë i dalluar i informimit lokal, që ka ndërtuar me përkushtim urën mes qytetarëve dhe ngjarjeve të ditës. Ajo është e njohur për pasqyrimin e drejtë dhe të ndershëm të realitetit, me vëmendje të veçantë ndaj historive njerëzore dhe figurave punëtore të komunitetit.
Komente