Punimet për modernizimin e Bulevardit të Palmave dhe Agrumeve në Vlorë po ecin me ritme të ngadalta, duke mos respektuar afatet e parashikuara dhe duke krijuar shqetësime të mëdha për banorët dhe bizneset e zonës. Ajo që nisi si një projekt i madh zhvillimi për të përmirësuar infrastrukturën, tani po perceptohet si një burim problematikash të përditshme për qytetarët.
Qytetarët shprehen të indinjuar për mënyrën sesi po menaxhohen punimet dhe theksojnë se nuk po respektohen afatet dhe standardet e pritura.
“Po kemi vështirësi të mëdha çdo ditë. Bulevardi është pjesërisht i bllokuar, nuk ka sinjalistikë të qartë, dhe po e vuajmë si banorë të zonës. Jo vetëm ne, por edhe bizneset janë të prekur rëndë.”
Edhe drejtuesit e mjeteve përballen me vështirësi, pasi segmenti është pjesërisht i bllokuar dhe mungesa e sinjalistikës ka shtuar rrezikun për aksidente. Mungesa e aksesit dhe ndalimi i qarkullimit ka ndikuar ndjeshëm edhe te bizneset përgjatë bulevardit, të cilat raportojnë ulje të xhiros dhe mungesë klientësh.
“Ka pasur rënie të klientelës. Edhe ne si biznese po kalojmë vështirësi të mëdha. Kjo ndikon drejtpërdrejt në të ardhurat tona dhe nuk duket se ka një zgjidhje afatshkurtër”, shprehen disa pronarë biznesesh.
Qytetarët bëjnë thirrje për një ndërhyrje të shpejtë nga autoritetet vendore dhe kompaninë kontraktuese, duke kërkuar që punimet të përshpejtohen dhe të ndërmerren masa për përmirësimin e kushteve për qarkullimin e qytetarëve dhe mjetëve, derisa projekti të përfundojë.
Në të kundërt, ata paralajmërojnë se ky investim po kthehet në një barrë për komunitetin dhe nuk po ofron përfitime ashtu siç ishte premtuar në fillim të projektit.
Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.
Komente