“Pse unë?”
Zëri i një fëmije që na e kthen botën përmbys
Nga Marieta Mërkuri
Ishte vetëm një video. Një çast i shkëputur nga një realitet që më dukej larg derisa pashë një fëmijë të vetëm, në spitalin Nasser, në Gaza, duke qarë me ngashërimën e një fëmije. Fëmija nuk ka emër për botën, por për çdo nënë ai është menjëherë i njohur.
Me lot në sy, me zërin që thyhej nga frika, ai thërriste motrën e tij.Ulërima e tij nuk ishte vetëm dhimbje , ishte shpërthimi i një bote që po rrënohet mbi supet e një fëmije.
“Pse ne?” “ Pse ne” ?
Nuk më la më të qetë kjo pyetje.
Nuk më lejoi të vazhdoja ditën si zakonisht, si të mos kishte ndodhur asgjë.
Sepse ajo pyetje nuk ishte vetëm për Gazën. Nuk ishte vetëm për Palestinën. Ishte për mua. Për ty. Për çdo nënë, për çdo zemër që ka dashur një fëmijë.
Po sikur të ndodhte këtu?
Po sikur të ishte djali im, nipi im, nxënësi im… në atë korridor spitali?
A do të rrija kështu, duke vëzhguar, duke klikuar, duke heshtur?
Armëpushimi është thyer sërish. Alarmet ajrore në Izrael kanë rënë që në orët e para të mëngjesit. Raketat, sipas raportimeve, janë lëshuar nga Irani drejt qyteteve si Haifa dhe Beersheba. Në strehimore e spitale, njerëzit përpiqen të ruajnë qetësinë dhe jetën.
Por përtej titujve të lajmeve, mbetet një pyetje themelore.
A kanë faj fëmijët?
A janë ata pjesë e një lufte që nuk e kuptojnë? A është e drejtë që lotët dhe frika e tyre të bëhen sfond i një tragjedie të ndërtuar nga të rriturit?
Në çdo të shtënë, në çdo sirenë, janë fëmijët që ndëshkohen më shumë. Ata që nuk zgjodhën, nuk luftuan, nuk urrejnë por thjesht u rritën në kohën dhe vendin e gabuar.
Në zemrën e çdo nëne ekziston një frikë e heshtur, humbja.
Humbja e fëmijës. Humbja e së nesërmes. Dhe kur pashë atë fëmijë që thërriste në tmerrin e humbjes motrën e tij, ajo frikë u kthye në dhimbje.
Sepse kjo është një plagë universale, që nuk njeh fe, as kombësi. Është e njëjtë për çdo nënë që përpiqet të mbrojë fëmijët nga një botë që nuk u përket.
Ne jemi mësuar t’i shmangim pamjet e rënda. T’i kalojmë shpejt. Të mos e lejojmë ndjeshmërinë të na shqetësojë jetën.
Por kur një fëmijë pyet “pse unë?”, nuk ka vend për asnjë justifikim.
Sepse lufta nuk ndalet kur nuk ndodh këtu.
Ajo ndalet kur njerëzit, kudo, thonë mjaft.Kur nënat, artistët, lexuesit, njerëzit e zakonshëm i thonë botës se fëmijët nuk janë kolateral i asnjë konflikti.
Jo më në emër të paqes që vret.
Jo më në emër të heshtjes që bën dëm.
Ky shkrim nuk është një akt akuze.As një apel politik.
Është thjesht një zë njerëzor.
Një kujtesë se kur një fëmijë qan, një botë e tërë duhet të përgjigjet.
Dhe ne
ti që po lexon,
unë që po shkruaj
jemi pikërisht ajo botë.
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.
Komente