Rrushi i Thatë ose sic njihen në gjuhën populloren ''stafidhet'' janë një nga ushqimet më të zakonta por të pasura në vlera ushqyese. Të ëmbla, të shijshme dhe të lehta për t’u konsumuar, ato janë një burim natyral energjie dhe lëndësh ushqyese që mund të bëjnë ndryshim rrënjësor në shëndetin tonë të përditshëm. Zakonisht stafidhet preferohen të konsumohen në raste festash ose kur mblidhemi me miqtë. Ja pse duhet t’i përfshijmë në dietën tonë të përditshme:
1. Janë Një Burim i Fuqishëm Energjie
Stafidhet përmbajnë sheqerna natyrore si fruktoza dhe glukoza, të cilat përthithen shpejt nga organizmi dhe japin energji të menjëhershme. Kjo i bën ideale për sportistët të cilët i konsumojnë ato për shkak se përmbajnë sheqer natyral (kryesisht fruktozë) . Rrushi i Thatë përmban fibra, kalium, hekur, magnez dhe sasi të vogla vitaminash B të cilat japin energji të shpejtë dhe janë ideale për këdo që ka nevojë për një “shtysë” gjatë ditës.
2. Ndihmojnë tretjen
Stafidhet kanë përmbajtje të lartë fibrash. Ato ndihmojnë në rregullimin e aparatit tretës, parandalojnë kapsllëkun dhe mbajnë shëndetin e zorrëve në formë optimale.
Ato gjithashtu mund të veprojnë si një laksativ i lehtë dhe natyral kur konsumohen në sasi të moderuara. Provoni t'i perfshini ato në mëngjesin tuaj!
3. Forcojnë kockat
Përveç sasisë së konsiderueshme të kalciumit, një mineral i domosdoshëm për forcën dhe zhvillimin e skeletit, stafidhet përmbajnë edhe boron, një element me rol të rëndësishëm në metabolizmin e kalciumit, magnezit dhe vitaminës D – të gjitha thelbësore për shëndetin e kockave.
Ky kombinim ndihmon jo vetëm në ruajtjen e dendësisë kockore dhe elasticitetit të kyçeve por edhe në parandalimin e humbjes së masës kockore që vjen me moshën.
Studimet tregojnë se boroni mund të ketë ndikim pozitiv në uljen e rrezikut për osteoporozë dhe fraktura, sidomos tek gratë pas menopauzës dhe tek të moshuarit. Konsumi i rregullt i stafidheve, si pjesë e një diete të ekuilibruar mund të kontribuojë në kocka më të forta dhe kyçe më të shëndetshme.
4. Mbrojnë zemrën
Stafidhet janë një aleat i çmuar për shëndetin kardiovaskular falë përmbajtjes së tyre të lartë në kalium, një mineral thelbësor për ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve në organizëm dhe për relaksimin e mureve të enëve të gjakut. Kjo ndihmon në mbajtjen nën kontroll të presionit të gjakut dhe në reduktimin e ngarkesës mbi zemrën tuaj duke ulur rrezikun për hipertension dhe sëmundje të tjera kardiovaskulare.
Përveç kaliumit, stafidhet janë të pasura me antioksidantë natyralë si polifenole dhe flavonoide të cilat luftojnë inflamacionin dhe stresin oksidativ – dy faktorë kryesorë që dëmtojnë enët e gjakut dhe përshpejtojnë procesin e aterosklerozës (ngushtimi i arterieve). Këta antioksidantë ndihmojnë në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, reduktojnë formimin e pllakave të kolesterolit dhe kontribuojnë në një funksion më të mirë të zemrës.
Konsumimi i moderuar dhe i rregullt i stafidheve, si pjesë e një diete të pasur me fruta, perime dhe drithëra integrale, mund të jetë një mënyrë e thjeshtë dhe e shijshme për të reduktuar rrezikun e infarktit, goditjes në tru dhe sëmundjeve të tjera të zemrës.
5. Kontrollojnë dëshirën për të ëmbla
Edhe pse kanë një shije të ëmbël natyrale, stafidhet kanë një indeks glicemik të ulët deri mesatar, gjë që do të thotë se nuk shkaktojnë rritje të menjëhershme dhe të papritura të nivelit të sheqerit në gjak. Kjo i bën ato një alternativë më të shëndetshme ndaj çokollatave, karameleve apo ëmbëlsirave të përpunuara, të cilat zakonisht përmbajnë sheqer të rafinuar dhe aditivë jo të shëndetshëm.
Falë përmbajtjes së fibrave, stafidhet të ngopin shpejt dhe ndihmojnë në ruajtjen e ndjesisë së fryrjes për një kohë më të gjatë. Kjo parandalon ngrënien e tepërt dhe redukton dëshirën për ushqime të dëmshme mes vakteve. Për më tepër, antioksidantët dhe mikronutrientët që përmbajnë, jo vetëm që kënaqin dëshirën për diçka të ëmbël por edhe furnizojnë trupin me ushqyes të vlefshëm duke e bërë këtë “snack” jo vetëm të shijshëm por edhe funksional për shëndetin.
Për ata që po përpiqen të kontrollojnë peshën ose të mbajnë një nivel të qëndrueshëm të energjisë gjatë ditës, një grusht stafidhe mund të jetë zgjedhja perfekte për të zëvendësuar ëmbëlsirat e përpunuara, duke balancuar kënaqësinë e shijes me vlerën ushqyese.
6. Mbrojnë shëndetin e gojës dhe dhëmbëve
Studime të ndryshme kanë treguar se stafidhet përmbajnë përbërës natyralë antibakterialë, si acidi oleanolik, të cilët mund të ndihmojnë në pengimin e rritjes së baktereve përgjegjëse për prishjen e dhëmbëve dhe formimin e pllakës bakteriale. Këta përbërës mund të kontribuojnë gjithashtu në mbrojtjen e mishrave të dhëmbëve dhe në reduktimin e rrezikut për sëmundje periodontale.
Megjithatë, për shkak të strukturës së tyre ngjitëse dhe përmbajtjes së lartë të sheqernave natyrale, stafidhet mund të mbeten lehtësisht në hapësirat ndërmjet dhëmbëve, duke krijuar mjedis të favorshëm për zhvillimin e baktereve nëse higjiena orale nuk mbahet rregullisht.
Prandaj, pas konsumit të stafidheve rekomandohet të lahet goja me ujë ose të pastrohen dhëmbët, në mënyrë që të përfitohet nga vetitë e tyre pozitive pa rritur rrezikun për probleme dentare. Në këtë mënyrë, stafidhet mund të jenë pjesë e një diete të shëndetshme, pa kompromentuar shëndetin e gojës.
Një grusht stafidhe në ditë mund të jetë një zgjedhje e thjeshtë ama mjaft e fuqishme për shëndetin tuaj. Ato janë ushqim praktik, i lehtë për t’u ruajtur dhe i pasur me vlera që mbështesin energjinë, tretjen, kockat dhe zemrën. Provoni ti hani rregullisht dhe trupi juaj ka për t'iu falenderuar.
Komente