Para se të ulet në karrigen e deputetit në shtator, Arjan Ndoja është ulur në karrigen e dëshmitarit në SPAK. Ish-prokurori i Durrësit dëshmoi në një nga proceset më të bujshme – për atentatin ndaj tij në vitin 2019, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit.
Për herë të parë, si deputet i zgjedhur nga lista e hapur në Durrës, ai u ballafaqua me personin që akuzohet se ka urdhëruar atentatin ndaj tij – Plaurent Dervishaj, i përfshirë në grupin e Durrësit – dhe me autorin e dyshuar që qëlloi me armë, Julian Meçaj.
Përplasja në sallën e gjyqit:
Arjan Ndoja: Ke ndonjë konflikt me mua?
Plaurent Dervishaj: Jo, po të kem ta them këtu.
Arjan Ndoja: Për ty kam dëgjuar shumë dhe kam ardhur të të shoh në sy. Nëse të kam borxh, mos hezito.
Plaurent Dervishaj: Ja, më ke mua borxh. Si do ma shlyesh?
Arjan Ndoja: Më thuaj çfarë borxhi dhe të them si do ta shlyej.
Ndoja ka folur edhe për një letër anonime që e lidhte atentatin me detyrën e tij. “Dikush na ka futur në ngatërresë. Është pastruar një territor në Durrës. Kanë ardhur disa letra anonime ku thuhej se dyshohej që me anë të punës sime si prokuror kam ndërhyrë në një çështje me interesa ekonomike”, tha ai.
Më 1 nëntor të gjashtë viteve më parë, Arjan Ndoja ndodhej në makinën e tij – në pronësi të bashkëshortes – me shoferin Andi Maloku, i cili sapo kishte nisur punën. Ai mbeti viktimë e atentatit. Pasagjer i tretë ishte “Rrumi i Shijakut”, i njohur si Aleksandër Laho, Pëllumb apo Landi Muharremi, që e ka ndryshuar disa herë identitetin.
Katër muaj para këtij atentati, Plaurent Dervishaj kishte mbetur i plagosur bashkë me Julian Meçajn në një tjetër atentat në qershor, në zonën e Koxhasit, Shijak. Ai la të kuptohet se mendonte se Ndoja mund të kishte lidhje me atë sulm.
Plaurent Dervishaj: Ti mendon që, nëse ke gisht në atentatin ndaj meje, unë do të ta fal?
Arjan Ndoja: Kam ardhur për atentatin ndaj meje, jo ndaj teje.
Ish-prokurori sqaroi se e kishte takuar Dervishajn vetëm një herë, në maj të vitit 2020 – një vit pas atentatit – dhe nuk kishte asnjë lidhje me të.
I pyetur për dosjen që kishte të bënte me falsifikimin e pronave në Hamallaj – të gjetur në makinën e tij – Ndoja tha se nuk kishte dijeni dhe se dokumentet i përkisnin një avokati. Edhe për zonën e Gjirit të Lalzit mohoi të kishte ndonjë interes pasuror.
Ai kujtoi se para atentatit kishte qenë në drekë në restorantin “Koral” me disa miq, përfshirë Aleksandër Lahon dhe ndërtuesin Enver Shaba. Pas kthimit, afër urës së Dajlanit dhe mbikalimit, ndodhën të shtënat.
“Në fillim nuk e kuptova, plumbat vinin nga pas. Është qëlluar me dy armë, por jo në breshëri. Vetëm në sediljen time u numëruan 13 predha. Të shtënat zgjatën rreth 10 sekonda. Nuk pamë dot makinën që qëlloi”, kujtoi ai.
Dëshmia e Halit Valterit: “E përdora politikisht”
Në seancë dëshmoi edhe ish-deputeti Halit Valteri, i cili tha se e kishte përdorur publikimin e videos së atentatit për përfitime politike. Ai rrëfeu se babai i shoferit të vrarë, Andi Maloku, i kishte treguar një video ku dukeshin dy persona të dyshuar.
“E kam përdorur politikisht për të marrë kredencialet si deputet i opozitës”, deklaroi Valteri, duke shtuar se është telefonuar nga Ramazan Rraja për emrat që kishte përmendur në Parlament.
Avokati i Dervishajt deklaroi se veprimi i Valterit ishte i stisur nga Arjan Ndoja dhe Sandër Lleshaj dhe kërkoi administrimin e bisedave të tyre.
Bashkim Maloku: “Kushëriri im po hante drekë me Ndojën para atentatit”
Në gjykatë dëshmoi edhe Bashkim Maloku, kushëriri i Andi Malokut. Ai tha se ngjarjen e mësoi rreth orës 17:30, kur u njoftua për plagosjen e kushëririt.
Ai rrëfeu se Andi po drekojë me Arjan Ndojën dhe Aleksandër Lahon, dhe kishte vënë re një grua me emrin Lusi që lëvizte disa herë. Ai shtoi se pas ngjarjes kishin ardhur tre persona nga Nikla për të folur me familjen e viktimës, por nuk u kthyen më.
“Njoh Plaurent Dervishajn prej kohësh, por nuk kam pasur asnjë problem me të”, përfundoi Maloku.
Vendimet e deritanishme dhe ekstradimet
Për atentatin ndaj Arjan Ndojës, me vendim të formës së prerë, Redjan Rraja – nip i një ish-deputeti të PS-së – është dënuar me burgim të përjetshëm. Ai u arrestua katër ditë pas ngjarjes, teksa po përpiqej të largohej nëpërmjet Hanit të Hotit. Gjurmët e tij u gjetën në makinën e atentatorëve.
Ariol Halilaj u dënua me 35 vjet burg për ndihmë ndaj autorëve, pasi ndihmoi në largimin e tyre nga vendngjarja.
Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj – të dy të akuzuar për organizimin dhe ekzekutimin e atentatit – u ekstraduan nga Dubai në gusht 2024.
Zbardhja e plotë e atentatit erdhi pas mbërritjes në SPAK të komunikimeve nga aplikacioni “SkyECC”, i cili ndihmoi në zbardhjen e ngjarjeve kriminale të shumta.
Pamela Shabani është pjesë e redaksisë së Blu TV si gazetare e terrenit, duke sjellë në ekran realitetin përmes një vështrimi të ndjeshëm dhe analitik. E diplomuar në Psikologji, ajo kombinon aftësinë për të kuptuar dinamikat sociale me përkushtimin për të raportuar me objektivitet dhe përgjegjësi. Me interes të veçantë për çështjet sociale dhe historitë njerëzore, Pamela synon të japë zë atyre që shpesh mbeten në heshtje.
Komente