Një gabim procedural i ish-sekretares së shtetit britanik Yvette Cooper, i përdorur si argument kyç nga mbrojtja në Gjykatën e Apelit në Londër, nuk ka qenë i mjaftueshëm për të siguruar lirimin nga burgu të Edmond Haxhisë dhe katër shtetasve britanikë, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Ardian Nikulajt.
Për të dytën ditë radhazi, këtë të premte, Gjykata e Apelit në Londër shqyrtoi kërkesën e mbrojtjes për të bllokuar ekstradimin e Edmond Haxhisë dhe katër britanikëve drejt Shqipërisë, lidhur me ngjarjen e vitit 2023. Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, raporton se avokati i Haxhisë ngriti si argument një gabim të Yvette Cooper, e cila kishte firmosur ekstradimin mbi bazën e akuzave të mëparshme dhe jo atyre të rishikuara dhe miratuara në gusht 2024 nga Gjykata e Westminster-it për ekstradime.
Gjatë seancës, avokati i Edmond Haxhisë i është drejtuar gjyqtarit të apelit, Mr. Justice Swift, duke e cilësuar shqetësuese mungesën e një shpjegimi nga Sekretarja e Shtetit për këtë veprim, duke theksuar se akuzat kishin ndryshuar dhe se kjo duhej të ishte reflektuar në vendimin për ekstradim.
Sipas mbrojtjes, pranimi i këtij argumenti do të sillte lirimin e menjëhershëm të Edmond Haxhisë dhe katër britanikëve, si dhe rrëzimin e kërkesës së shtetit shqiptar për ekstradim. Megjithatë, gjyqtari Mr. Justice Swift nuk e pranoi këtë qëndrim dhe u tërhoq për të marrë një vendim përfundimtar, i cili pritet të publikohet në javët në vijim.
Deri në shpalljen e vendimit, të kërkuarit me urdhra arresti të lëshuar nga Prokuroria e Lezhës dhe të arrestuar në Angli do të vijojnë të qëndrojnë në burg, me përjashtim të Harriet Bridgeman, e cila ndodhet e lirë me kusht, nën mbrojtje policore në një adresë sekrete.
Një ditë më parë, përfaqësuesi i shtetit shqiptar në këtë proces, David Ball, kundërshtoi të gjitha pretendimet e mbrojtjes për mos-ekstradimin e Edmond Haxhisë dhe shtetasve britanikë Thomas Mithan, Harriet Bridgeman, Harry Simpson, Steven Hund dhe vetë Edmond Haxhia.
Sipas Prokurorisë së Lezhës, Edmond Haxhia akuzohet si organizatori i vrasjes së Ardian Nikulajt, ndërsa katër britanikët dyshohet se kanë ardhur në Shqipëri si grup vëzhgimi, duke i siguruar informacion Ruben Saraivës, i cili ndodhet aktualisht nën akuzë dhe në proces gjykimi në Gjykatën e Lezhës për të njëjtën vepër penale.
Një tjetër pretendim i mbrojtjes ishte se garancitë e dhëna nga shteti shqiptar, të firmosura nga ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, për mosaplikimin e akuzës së gjakmarrjes që parashikon burgim të përjetshëm, nuk janë të mjaftueshme, pasi sipas tyre gjykatësit janë të pavarur dhe nuk ndikohen nga garancitë e qeverisë.
Komente