Skemë mashtrimi me barnat e rimbursueshme: Prokuroria e Tiranës arreston ish-drejtorin e FSDKSH dhe administratorë farmaceutikë

Skemë mashtrimi me barnat e rimbursueshme: Prokuroria e Tiranës arreston ish-drejtorin e FSDKSH dhe administratorë farmaceutikë

Prokuroria e Tiranës ka zbuluar dhe goditur një skemë të organizuar mashtrimi me barnat e rimbursueshme, në të cilën janë të përfshirë drejtues të kompanive farmaceutike dhe zyrtarë të Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Organi i akuzës ka lëshuar tetë masa sigurie, përfshirë arrestime, ndalime dhe pezullime nga detyra.

Në qendër të hetimeve ndodhet kompania “CFO Pharma”, në pronësi të biznesmenit Nadir Çausholli, e administruar nga Frigul Milla, i cili është shpallur në kërkim. Sipas hetimeve, Milla ka përdorur kompanitë “Pharma Plus” dhe “Nedix Albania”, duke paraqitur të dhëna të rreme për blerje dhe qarkullim medikamentesh, me qëllim përfitimin e fondeve publike nga skema e rimbursimit të barnave.

Në kuadër të operacionit, është vënë në pranga Spartak Zekja, ish-drejtor i FSDKSH-së, ndërsa disa punonjës të institucionit janë pezulluar ose janë ndaluar të lëvizin jashtë vendit.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, kompanitë farmaceutike të përfshira deklaronin fiktivisht sasi të mëdha medikamentesh si “Foster” dhe “Trimboe”, të cilat rezultonin të shitura tek “CFO Pharma”, duke u rimbursuar në mënyrë të paligjshme.

Kompania “Pharma Plus” kishte deklaruar 2000 kuti “Foster” dhe 1107 kuti “Trimboe” me vlerë 10 milion lekë, pa blerje reale.

Ndërsa “Nedix Albania” kishte deklaruar 4000 kuti “Foster” dhe 11 500 kuti “Trimboe” me vlerë 60 milion lekë.

Sipas hetimeve, falsifikimet janë miratuar nga zyrtarë të FSDKSH-së, të cilët kishin lidhur kontrata me kompanitë përkatëse pa kryer kontroll fizik të barnave në magazina, duke mundësuar krijimin e inventarëve fiktivë dhe qarkullimin e faturave të rreme që sollën përfitime të mëdha financiare.

Të arrestuarit dhe masat e sigurisë:

Frigul Milla, administrator i “CFO Pharma” – në kërkim, “Arrest në burg”.

Spartak Zekja, ish-drejtor i FSDKSH – “Arrest në burg”.

Alba Zylfo – “Ndalim dalje nga shteti” dhe “Detyrim për t’u paraqitur”.

Jona Berberi – “Ndalim dalje nga shteti” dhe “Detyrim për t’u paraqitur”.

Lorela Ballabani – “Ndalim dalje nga shteti” dhe “Detyrim për t’u paraqitur”.

Zade Mali – “Ndalim dalje nga shteti” dhe “Pezullim nga detyra”.

Esjana Gjishti – “Ndalim dalje nga shteti” dhe “Pezullim nga detyra”.

Romina Agalliu – “Detyrim për t’u paraqitur”.

Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe Seksioni i Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës.

Sipas njoftimit zyrtar, veprimet e të dyshuarve përbëjnë elementë të veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Fshehja e të ardhurave”, të parashikuara nga nenet 186 dhe 180 të Kodit Penal.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet vijojnë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrjetit të përfitimeve dhe lidhjeve midis kompanive farmaceutike dhe zyrtarëve publikë të përfshirë në këtë skemë mashtruese.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-