Projektligji për kontrollin e kufirit shtetëror, drejt përafrimit me legjislacionin e BE-së

Projektligji për kontrollin e kufirit shtetëror, drejt përafrimit me legjislacionin e BE-së

Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut projektligjin “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, i cili synon forcimin e sigurisë kufitare dhe përputhjen me standardet e Bashkimit Evropian.

Gjatë fjalës së tij, Lamallari theksoi se nisma është pjesë e përmbushjes së objektivave afatgjatë në kuadër të politikës së jashtme, sigurisë dhe integrimit evropian të vendit.

“Sjell një përafrim të ndjeshëm me kuadrin ligjor të BE-së dhe standardet e Schengenit, duke përfshirë përforcimin e mbikëqyrjes së kufijve, luftën kundër krimit kufitar dhe parandalimin e migracionit të paligjshëm”, u shpreh Lamallari.

Projektligji synon gjithashtu rritjen e sigurisë në zonat e verifikimit kufitar, përmirësimin e sistemit të kontrollit në bregdet dhe kapaciteteve të kërkim-shpëtimit në det. Po ashtu, përcaktohen qartë rregullat për qarkullimin lokal kufitar dhe krijimin e qendrës kombëtare për menaxhimin e integruar të kufirit.

Zv/ministri rikujtoi se Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka nënshkruar marrëveshje me agjencinë evropiane Frontex për dislokimin e trupave në kufijtë shqiptarë, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për sigurinë dhe integrimin.

Sipas Lamallarit, projektligji është një hap i rëndësishëm për forcimin e sigurisë kombëtare dhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-