Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, ku u takua me homologun e tij, Gjeneral Lejtnant Mohammed bin Abdullah Al-Bassami. Takimi i zhvilluar ka pasur në fokus forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat e sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve kibernetike.
Në përfundim të takimit, të dy drejtorët ranë dakord për rritjen e shkëmbimit të eksperiencave dhe për intensifikimin e bashkëpunimit operativ. Ata diskutuan gjithashtu mundësinë e zhvillimit të trajnimeve të përbashkëta për të forcuar kapacitetet teknike dhe profesionale të strukturave të sigurisë të dy shteteve.
Gjeneral Lejtnant Al-Bassami u shpreh: "Jemi të angazhuar për të thelluar bashkëpunimin me Policinë shqiptare jo vetëm në fushën e rendit dhe sigurisë publike, por edhe në fushat me interes të përbashkët."
Nga ana e tij, Proda theksoi rëndësinë e krijimit të strukturave të komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet dy forcave të sigurisë dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta për të rritur eficiencën dhe sigurinë në të dy vendet.
Po ashtu, gjatë vizitës, delegacioni shqiptar zhvilloi takime edhe me drejtues të sigurisë së Mekës dhe Medinës, ku u shkëmbyen eksperienca për menaxhimin e sigurisë gjatë grumbullimeve masive, një fushë tepër e rëndësishme për mbrojtjen e miliona pelegrinëve që vizitojnë këto vende çdo vit.
Ky takim ka hapur mundësi të reja për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përmirësimin e sigurisë publike në të dy vendet.
Komente