Duka i Sussex, Princ Harry, ka ndërmarrë një tjetër hap drejt pajtimit me familjen e tij mbretërore. Sipas burimeve të “Daily Mail”, Harry dhe bashkëshortja e tij, Meghan Markle, kanë rënë dakord të ndajnë zyrtarisht axhendën e tyre të udhëtimeve dhe angazhimeve me mbretin Charles III dhe princin William, si një “degë ulliri” për të shmangur përplasjet publike apo pretendimet për rivalitet vëmendjeje.
Një burim për mediat britanike është shprehur se familja Sussex është e gatshme të përpilojë një "kalendar të përbashkët" të aktiviteteve të tyre dhe ta ndajë me Pallatin Buckingham.
Ky gjest vjen pak javë pasi Harry dhe mbreti Charles kanë hedhur një hap të rëndësishëm në drejtim të pajtimit. Sipas të përjavshmes “People”, më 9 korrik, ndihmësit më të afërt të dy palëve janë takuar në Londër për të diskutuar marrëdhënien dhe mundësitë e një ribashkimi. “Ishte një hap i mirëfilltë i parë,” tha një burim për revistën. “Është gjithmonë më mirë të flitet. Ka optimizëm për të ardhmen.”
Prej vitit 2020, kur Harry dhe Meghan hoqën dorë nga detyrat si anëtarë të rangut të lartë të familjes mbretërore dhe u vendosën në Kaliforni, marrëdhëniet e tyre me familjen kanë qenë të ftohta. Takimet e pakta me babanë dhe vëllain kanë ndodhur vetëm në ngjarje madhore, si funerali i Mbretëreshës Elizabeth II në 2022 dhe kurorëzimi i mbretit Charles në 2023.
Marrëdhëniet u tensionuan më tej pas publikimit të autobiografisë “Spare” në vitin 2023, ku Harry ndau detaje tronditëse mbi jetën e brendshme të familjes mbretërore.
Pas diagnostikimit të mbretit Charles me kancer në fillim të vitit të kaluar, Harry udhëtoi menjëherë drejt Londrës për ta parë. Megjithatë, në udhëtimet e mëvonshme, kontaktet u shmangën. Në maj të këtij viti, Harry tha për BBC-në se mbreti “nuk flet me mua për shkak të çështjes së sigurisë”, duke iu referuar betejës ligjore për të pasur mbrojtje personale gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar. “Nuk e di se sa kohë më ka mbetur me babanë tim,” shtoi ai.
Megjithatë, ai theksoi se dëshiron një pajtim. “I kam falur,” deklaroi Harry. “Ka pasur shumë mosmarrëveshje, por nuk ka më kuptim të vazhdojmë me luftë. Jeta është e çmuar.”
Një mesazh i qartë që, pavarësisht së kaluarës, është ende hapur dera për një kapitull të ri në marrëdhëniet familjare.
Shkrimtare e pasionuar pas trashëgimisë kulturore dhe asaj jomateriale, e përkushtuar ndaj ruajtjes së tyre përmes metodave të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. E interesuar për zhvillimin teknologjik dhe ndikimin që ai ka në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë.
Komente