Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë, që këtë vit shënon 249-vjetorin e shpalljes së saj.
Në një mesazh të publikuar në profilin e tij zyrtar në platformën X (ish-Twitter), Kreu i Shtetit shpreh mirënjohje për mbështetjen që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë ndër vite, si dhe për partneritetin e fortë mes dy vendeve.
“Gëzuar 4 Korrikun! Në këtë ditë feste për miqtë dhe aleatët tanë amerikanë, Shqipëria shpreh mirënjohjen më të thellë për miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” shkruan Presidenti Begaj.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e vlerave të përbashkëta që lidhin dy vendet:
“Qëndrojmë të bashkuar në përkushtimin tonë të përbashkët ndaj vlerave demokratike, paqes dhe sigurisë globale, duke shpresuar në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes dy kombeve tona të mrekullueshme.”
4 Korriku është një nga datat më të rëndësishme në historinë amerikane dhe shënohet me festime të shumta në të gjithë vendin. Shqipëria, si një aleat i ngushtë i SHBA-ve, ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e kësaj marrëdhënieje në zhvillimin dhe forcimin e demokracisë në rajon.
Gentjan Kellçiu është gazetar dhe moderator nga Vlora, i njohur për raportimet e tij në terren dhe drejtimin e emisioneve informative. Aktualisht ai drejton emisionin e mëngjesit “Agon Blu” në Blu TV.
Komente