Presidenti Begaj në Universitetin e Kalabrisë - 50 vite në shërbim të gjuhës dhe kujtesës arbëreshe

Presidenti Begaj në Universitetin e Kalabrisë - 50 vite në shërbim të gjuhës dhe kujtesës arbëreshe

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në Universitetin e Kalabrisë, me rastin e 50-vjetorit të krijimit të Katedrës dhe Laboratorit të Albanologjisë, një qendër e rëndësishme për studimet mbi gjuhën dhe kulturën shqipe në Itali.

Gjatë takimit me profesorë, studiues dhe studentë të gjuhës shqipe, Presidenti vlerësoi këtë institucion si një “qendër të rëndësishme akademike në zemër të një rajoni që ruan me krenari gjuhën, kulturën dhe kujtesën arbëreshe”.

Ai shprehu mirënjohje për të gjithë profesorët e katedrës, duke theksuar rolin thelbësor që kjo strukturë ka pasur në mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës arbëreshe dhe identitetit kulturor. “Ky është një vit përkujtimor dhe një moment krenarie për çdo shqiptar,” u shpreh Presidenti, duke përmendur me respekt figurën e Françesko Solanos, themeluesin e katedrës, dhe kontributin e vyer të profesor Altimarit ndër vite.

Presidenti çmoi gjithashtu edhe botimin e fundit të një teksti shkollor për mësimin e gjuhës arbëreshe, si një hap domethënës për edukimin dhe trashëgiminë kulturore të brezave të ardhshëm.

“Fjalët janë tepër, veprat janë ato që mbeten,” theksoi ai, duke vlerësuar humanizmin dhe përkushtimin e profesorëve që pa asnjë interes financiar i janë përkushtuar ruajtjes së kësaj trashëgimie të çmuar.

Nga ambientet e bibliotekës së Universitetit të Kalabrisë, Presidenti Begaj u bëri thirrje institucioneve shqiptare për të forcuar bashkëpunimin me tri qendrat kryesore kërkimore dhe arsimore në Itali që i janë përkushtuar gjuhës shqipe: në Kalabri, Palermo dhe Romë.

Gjatë vizitës, Presidenti u prit edhe nga rektori i Universitetit të Kalabrisë, profesor Nicola Leone, me të cilin ndau pikëpamje mbi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve arsimore dhe kulturore mes dy vendeve.

Kjo vizitë nënvizon edhe një herë rëndësinë strategjike të komunitetit arbëresh në ruajtjen e identitetit dhe lidhjes së ngushtë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-